SHBA – Trump për sulmet ndaj Iranit: Ndoshta po, ndoshta jo

UASHINGTON, 18 qershor /ATSH-AFP/ – Presidenti amerikan, Donald Trump ngriti dyshime sot rreth mundësisë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës të kryejnë sulme ndaj Iranit duke u thënë gazetarëve jashtë Shtëpisë së Bardhë se “ndoshta do ta bëj, ndoshta jo”.
“Dua të them, askush nuk e di se çfarë do të bëj”, shtoi presidenti amerikan, i cili i kishte bërë thirrje Iranit një ditë më parë për një “dorëzim pa kushte” pas disa ditësh lufte me Izraelin.
Presidenti amerikan, Donald Trump kërkoi dje, me germa kapitale, “DORËZIM PA KUSHT” nga Irani, i cili ka qenë shënjestër e sulmeve izraelite që nga e premtja.
Presidenti amerikan, i cili u kthye me nxitim gjatë natës nga samiti i G7 në Kanada për shkak të situatës në Lindjen e Mesme, siguroi gjithashtu në një seri mesazhesh rreth Iranit se “ne tani kemi kontroll të plotë dhe total mbi hapësirën ajrore iraniane”.
Në një postim disi të pakuptueshëm në Truth Social, presidenti amerikan, Donald Trump deklaroi se “tani kemi kontroll të plotë dhe total të qiellit mbi Iranin”./ a.jor.