E Diel, 1 Nëntor 2026

TEHERAN – Kriza hidrike detyron Iranin të blejë ujë nga vendet fqinje

TEHERAN, 3 dhjetor /ATSH-DPA/ – Qeveria iraniane po planifikon të blejë ujë nga vendet fqinje si përgjigje ndaj thatësirës që ka përfshirë vendin në mbarë territorin.

“Nëse një vend është i gatshëm të shesë ujë, ne do ta blejmë”, deklaroi sot i ministri i Energjisë, Abbas Aliabadi, sipas agjencisë Fars.

Në plan është edhe importimi i produkteve që kërkojnë shumë ujë për t’u prodhuar.

Shumica e vendeve fqinje të Iranit, përfshirë Irakun, Afganistanin dhe zonat kufitare të Pakistanit, po vuajnë gjithashtu nga mungesa e ujit dhe thatësira.

Ndërkohë, Armenia në veri ka rezerva më të mëdha ujore në krahasim me pjesën tjetër të rajonit.

Irani është një nga vendet më të thata në botë.

Në vitet e fundit, ekspertët kanë vënë re një rënie të ndjeshme të reshjeve, ndërsa thatësirat dhe fenomenet ekstreme të motit janë në rritje.

Prej vitesh, ekspertët kanë paralajmëruar se bujqësia iraniane po dëmtohet nga politika të gabuara të subvencionimit.

Në vend që të përshtaten me kushtet e mungesës së ujit, janë mbështetur kultura që konsumojnë shumë ujë.

Metodat tradicionale të bujqësisë janë zëvendësuar me pasoja të rënda afatgjata për tokën dhe rezervat ujore.

Mijëra familje rurale kanë braktisur zonat e tyre.

“Irani po përjeton vitin e gjashtë radhazi të thatësirës”, shkruan eksperti i OKB-së Kaveh Madani në revistën ”Forbes”.

Ai beson se pjesërisht fajin e ka ndryshimi i klimës, por edhe vite të gjata keqmenaxhimi.

“Ajo që po përjetojmë sot nuk është më një krizë uji, por një falimentim ujor, një dështim i sistemit që për vite ka nxjerrë më shumë ujë sesa natyra mund të rikuperojë”, shkruan ai./  /Ad.Ab./

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›