BRUKSEL – Wadephul: Berlini po i trajton seriozisht shqetësimet e Belgjikës për asetet ruse

BRUKSEL, 3 dhjetor /ATSH-DPA/ – Gjermania u tregua e gatshme sot të marrë përsipër rrezikun për përdorimin e aseteve të ngrira ruse për financimin e Ukrainës.
Ministri i Jashtëm gjerman, Johann Wadephul tha se ”Berlini po i trajton seriozisht edhe shqetësimet e Belgjikës dhe se është i gatshëm të kontribuojë më shumë në këtë proces”.
Ai u shpreh i bindur se propozimi i kancelarit Friedrich Merz do të marrë mbështetje të gjerë brenda BE-së.
Çështja pritet të rikthehet në qendër të debatit gjatë samitit të dhjetorit, ku shtetet anëtare do të përpiqen të arrijnë një kompromis mbi modelin e financimit të ardhshëm për Ukrainën.
Komisioni Evropian prezantoi sot propozimin ligjor për krijimin e një huaje të posaçme për Ukrainën duke përdorur bilancet e fitimeve nga asetet shtetërore ruse të ngrira në territorin e BE-së.
Presidentja e Komisionit, Ursula von der Leyen, tha se kjo nismë synon të mbulojë nevojat financiare të Kievit për dy vitet e ardhshme dhe të rrisë presionin ndaj Rusisë për të ulur koston e agresionit të saj.
Sipas propozimit, institucionet financiare të BE-së do të transferojnë rreth 210 miliardë euro nga asetet ngrirë ruse në një instrument të përbashkët huadhënieje.
Megjithatë, Belgjika, vendi ku është përqendruar pjesa më e madhe e aseteve të ngrira ruse, mbetet kundër nismës në formën aktuale.
”Shqetësimet e Brukselit nuk janë marrë seriozisht dhe se teksti i Komisionit nuk ofron garancitë e nevojshme për të përballuar rrezikun”, tha ministri i Jashtëm belg, Maxime Prévot.
Belgjika ka kërkuar që BE-ja të marrë fonde direkt nga tregjet e kapitalit, në vend të përdorimit të aseteve ruse, çka e ka detyruar Komisionin të paraqesë edhe një opsion alternativ për huamarrje të përbashkët./ /Ad.Ab./