TEHERAN – Presidenti iranian kërkon falje për sulmet ndaj vendeve fqinje

TEHERAN, 7 mars /ATSH-DPA/- Presidenti iranian, Masoud Pezeshkian ka kërkuar falje sot për sulmet e fundit ndaj vendeve fqinje.
Ai tha se Teherani nuk do të sulmojë vendet fqinje nëse ato nuk e provokojnë atë.
Deklarata e Pezeshkian nënkupton se asnjë sulm ndaj Iranit nuk duhet të fillojë nga bazat ushtarake amerikane në Lindjen e Mesme.
Meqenëse instalacione të tilla amerikane ndodhen në disa vende fqinje, përfshirë Emiratet e Bashkuara Arabe, Katarin dhe Kuvajtin, kushti do të zbatohej në mënyrë efektive edhe për Shtetet e Bashkuara te Amerikes.
“Unë u kërkoj falje vendeve fqinje që u sulmuan nga Irani. Këshilli i Përkohshëm i Udhëheqjes vendosi dje se nuk do të ketë më sulme ndaj vendeve fqinje dhe raketat nuk do të lëshohen nëse nuk niset një sulm ndaj Iranit nga këto vende”, tha Pezeshkian në një fjalim të transmetuar në televizionin shtetëror iranian.
Megjithatë, ai theksoi se Teherani “nuk do të dorëzohej”.
Për një javë, Irani ka nisur sulme me raketa në hakmarrje të vrasjes së Udhëheqësit Suprem Ajatollah Khamenei.
Sulmet kanë goditur shumë rajone të Gjirit, duke përfshirë Dubain, Abu Dabin, Katarin, Kuvajtin dhe Bahreinin, me imazhe që tregojnë shkatërrime të gjera.
Më 28 shkurt, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Izraeli kryen sulme ajrore të koordinuara në qytetet iraniane pas bisedimeve të bllokuara bërthamore dhe akuzave se Irani kishte rifilluar aktivitetet bërthamore.
Sulmet goditën shumë qytete iraniane, përfshirë kryeqytetin Teheran. //a.i/