E Hënë, 2 Nëntor 2026

TEL AVIV – Izraeli bombardon Qytetin e Gazës në përgatitje të ofensivës së planifikuar

TEL AVIV, 24 gusht /ATSH/- Avionët dhe tanket kanë bombarduar disa pjesë të Qytetit të Gazës – ndërsa planet e Izraelit për të pushtuar zonën më të madhe urbane të territorit – rrisin presionin mbi gati një milion palestinezë që jetojnë atje, sipas BBC.

Banorët kanë folur për shpërthime të pandërprera në pjesët veriore dhe lindore të qytetit.

Trupat izraelite janë rikthyer gjithashtu për të hedhur në erë ndërtesat në kampin e refugjatëve të Jabalias në veri.

“Gjashtëdhjetë e katër persona u vranë dhe gati 300 të tjerë u plagosën në sulmet izraelite në 24 orët e fundit”, tha Ministria e Shëndetësisë e territorit e drejtuar nga Hamasi.

Thuhet se numri i përgjithshëm i të vrarëve që kur Izraeli nisi fushatën e tij masive për të mposhtur Hamasin është rritur në 62 686 – përfshirë 157 951 të plagosur.

Ushtria izraelite nisi një operacion në Gazë – në përgjigje të sulmit të udhëhequr nga Hamasi në Izraelin jugor më 7 tetor 2023 – në të cilin u vranë rreth 1 200 persona dhe 251 të tjerë u morën peng.

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, është zotuar të mposhtë Hamasin dhe ka sfiduar kritikat ndërkombëtare për planet e tij për të zgjeruar luftën.

Rreth 60 000 rezervistë janë thirrur për të marrë pjesë në operacionin izraelit.

Ndërsa pushtimi ende nuk ka filluar, sulmet izraelite në Qytetin e Gazës kanë vazhduar – me zonat e Zeitoun dhe Shejayia të goditura nga ajri gjatë natës deri sot në mëngjes – ndërsa zjarri i tankeve shënjestroi lagjen Sabra.

Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF) thanë gjithashtu se trupat ishin kthyer në zonën e Jabalias, në ditët e fundit.

“Aktiviteti i trupave mundëson zgjerimin e luftimeve në zona të tjera dhe parandalon terroristët e Hamasit të kthehen dhe të veprojnë në këto zona”, tha IDF.

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) njoftoi sot se një anëtar i stafit ishte liruar nga IDF pasi ishte mbajtur në Gazë që nga 21 korriku.

Nuk ka detaje të mëtejshme rreth identitetit të punonjësit të OBSH-së apo arsyeve të arrestimit të tij.

Netanyahu po përballet gjithashtu me presion të madh në Izrael – veçanërisht nga familjet e pengjeve të cilat duan që ai të negociojë një përfundim të luftës në mënyrë që të sjellë të afërmit e tyre të robëruar në shtëpi.

Vetëm 20 nga 50 pengjet që mbahen ende në Gaza besohet se janë gjallë.

Kryeministri izraelit njoftoi qëllimin e Izraelit për të pushtuar të gjithë Rripin e Gazës pasi bisedimet indirekte me Hamasin mbi një armëpushim dhe marrëveshje për lirimin e pengjeve dështuan muajin e kaluar.

Ndërmjetësit, Katari dhe Egjipti po përpiqen të sigurojnë një marrëveshje për të shmangur ofensivën dhe kanë paraqitur një propozim të ri për një armëpushim 60-ditor dhe lirimin e rreth gjysmës së 50 pengjeve, të cilin Hamasi tha se e kishte pranuar.

Por, zyrtarët izraelitë kanë thënë se nuk do të pranojnë më një marrëveshje të pjesshme dhe kanë kërkuar një marrëveshje gjithëpërfshirëse që do të çonte në lirimin e të gjithë pengjeve. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›