TEL AVIV – Izraeli do të mobilizojë 100 mijë rezervistë për ofensivën në Gazë

TEL AVIV, 14 gusht /ATSH – DPA/ – Izraeli do të ketë nevojë të mobilizojë deri në 100 mijë rezervistë për fushatën ushtarake në Rripin e Gazës, sipas planeve të dislokimit të raportuara sot nga gazeta izraelite “Yedioth Ahronoth”.
Gazeta citoi planet e miratuara nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, Eyal Zamir.
Ofensiva e planifikuar parashikon marrjen nën kontroll të qytetit të Gazës në veri, si dhe shkatërrimin e Hamasit në kampet e refugjatëve në pjesën qendrore të Gazës.
Konsultime të mëtejshme mbi rrjedhën e saktë të veprimeve do të zhvillohen në ditët në vijim, ndërsa divizionet dhe brigadat e përfshira do të marrin udhëzime, raportoi “Yedioth Ahronoth”.
Sipas gazetës, fushata në qytetin e Gazës, veçanërisht në lagjet me ndërtesa të larta në perëndim të metropolit dhe në pjesë të tjera veriore të Rripit të Gazës, mund të zgjasë deri në vitin 2026.
Javën e kaluar, Zamir paralajmëroi kundër një marrjeje të plotë të Rripit të Gazës, duke theksuar mungesën e personelit dhe nivelin e lodhjes së trupave të dislokuara. Ai gjithashtu nënvizoi se një ndërhyrje tokësore në qytetin e Gazës do të rrezikonte jetët e pengjeve që besohet se mbahen atje.
Megjithatë, Këshilli i Sigurisë hodhi poshtë shqetësimet e Zamirit dhe miratoi planin e propozuar nga kryeministri Benjamin Netanyahu, duke shkaktuar kritika të ashpra brenda dhe jashtë vendit.
Zgjerimi i luftës në Gaza pritet të përkeqësojë vuajtjet katastrofike të popullsisë në zonën e izoluar. Qyteti i Gazës është qendra më e madhe e popullsisë në veri të territorit, ku jetojnë rreth 1 milion palestinezë, gjysma e popullsisë së përgjithshme të Gazës. /Ad.Ab./