TEL AVIV – Izraeli sulmon tanket në Sirinë jugore

TEL AVIV, 14 korrik /ATSH/- Ushtria izraelite tha sot se ka goditur tanket në Sirinë jugore, ku forcat qeveritare dhe fiset bedouin u përleshën me milicitë druze, sipas AP.
Dhjetëra njerëz janë vrarë në luftimet midis milicive lokale dhe klaneve në provincën Sweida të Sirisë.
Forcat qeveritare të sigurisë që u dërguan për të rivendosur sot rendin u përleshën gjithashtu me grupet e armatosura lokale.
Ministria e Brendshme e Sirisë raportoi më shumë se 30 të vdekur dhe të paktën 100 të plagosur.
Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut, një monitorues lufte me qendër në Britani të Madhe, raportoi të paktën 89 të vdekur, përfshirë dy fëmijë, dy gra dhe 14 anëtarë të forcave të sigurisë.
Izraeli ka ndërhyrë më parë në Siri në mbrojtje të pakicës fetare druze.
Në maj, forcat izraelite goditën një vend pranë pallatit presidencial në Damask, në atë që u pa si një paralajmërim për presidentin e përkohshëm sirian, Ahmad al-Sharaa.
Sulmi erdhi pasi dhjetëra persona u vranë në luftimet midis individëve të armatosur pro-qeveritarë dhe luftëtarëve druzë, në fillim të këtij viti në qytetin Sahnaya dhe në periferinë e Damaskut me shumicë druze, Jaramana.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu dhe ministri i Mbrojtjes Israel Katz thanë në një deklaratë në atë kohë – se Izraeli nuk do të lejonte vendosjen e forcave qeveritare siriane në jug të Damaskut ose ndonjë kërcënim për komunitetin druz.
Mbi gjysma e afërsisht 1 milion druzëve në të gjithë botën jetojnë në Siri. Shumica e druzëve të tjerë jetojnë në Liban dhe Izrael, përfshirë në Lartësitë e Golanit, të cilat Izraeli i pushtoi nga Siria në Luftën e Lindjes së Mesme të vitit 1967 dhe i aneksoi në vitin 1981.
Në Izrael, druzët shihen si një pakicë besnike dhe shpesh shërbejnë në forcat e armatosura.
Ndërsa shumë druzë në Siri kanë thënë se nuk duan që Izraeli të ndërhyjë në emër të tyre, fraksione nga pakica druze kanë qenë gjithashtu dyshuese ndaj autoriteteve të reja në Damask – pasi ish-presidenti Bashar Assad u largua nga vendi në dhjetor gjatë një ofensive rebele – të udhëhequr nga grupet kryengritëse islamiste sunite.
Në disa raste, grupet druze janë përleshur me forcat e sigurisë nga qeveria e re ose fraksionet aleate.
Një grup i udhëhequr nga Sheikh Hikmat Al-Hijri, një udhëheqës shpirtëror druz i cili ka qenë kundër qeverisë së re në Damask, lëshoi sot një deklaratë duke bërë thirrje për mbrojtje ndërkombëtare. //a.i/