UASHINGTON – Trump: Putini po planifikon një ofensivë të re në lindje të Ukrainës

UASHINGTON, 14 korrik /ATSH-ANSA/- Presidenti i SHBA-së, Donald Trump i tha sot homologut të tij francez, Emmanuel Macron, gjatë një bisede telefonike, se udhëheqësi rus Vladimir Putin “dëshironte të merrte gjithçka”, duke iu referuar ofensivës së re – të planifikuar nga Moska në Ukrainën lindore, sipas “Axios”.
Trump iu referuar një bisede telefonike midis dy udhëheqësve më 3 korrik.
Gjatë kësaj bisede, lideri rus, Putini i tha presidentit Trump se po planifikonte një përshkallëzim tjetër në lindje gjatë 60 ditëve të ardhshme, për të arritur kufijtë administrativë të rajoneve ku ai ka një prani të konsiderueshme.
Trump synon të njoftojë sot një plan të ri për të armatosur Ukrainën, i cili do të përfshijë dërgimin e armëve sulmuese në Kiev.
Iniciativa e re – do të prezantohet në një takim në Uashington midis Trump dhe sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte.
Plani ka të ngjarë të përfshijë raketa me rreze të gjatë veprimi – të afta për të arritur objektiva brenda territorit rus, përfshirë Moskën.
“Nuk kam rënë ende dakord rreth numrit te sistemit “Patriot” që do të dërgohen, por ukrainasit do të kenë disa prej tyre sepse kanë nevojë për mbrojtje, dhe BE-ja do të paguajë. Ne nuk do të paguajmë asgjë, por do t’i dërgojmë”, tha Trump.
“Jam shumë i zhgënjyer me udhëheqësin rus Vladimir Putin. Ai flet bukur dhe pastaj bombardon gjithçka në mbrëmje”, tha ai.
“I dërguari special i SHBA-së për Ukrainën, Keith Kellogg mbërriti sot në Kiev, në vizitën e tij në vend të njoftuar javën e kaluar”, sipas këshilltarit kryesor të presidentit ukrainas, Andriy Yermak, në Telegram.
“Ne e mirëpresim ngrohtësisht të dërguarin special të SHBA-së, Keith Kellogg, në Ukrainë”, shkroi Yermak.
“Paqja përmes forcës është parimi i presidentit të SHBA-së, Donald Trump, dhe ne e mbështesim këtë qasje”, shtoi ai. //a.i/