TURQI – Qindra të arrestuar gjatë demonstratave të 1 Majit

STAMBOLL, 1 maj /ATSH/- Më shumë se 200 protestues janë arrestuar në Turqi, ndërsa njerëzit u mblodhën sot në Stamboll me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Punëtorëve, 1 Maj, sipas “Sky News”.
Njerëz në të gjithë botën kanë shënuar ngjarjen vjetore, e cila kujton përpjekjet dhe arritjet e punëtorëve dhe lëvizjes punëtore.
Megjithatë, në Turqi, 1 Maji shërbeu gjithashtu si një mundësi për demonstruesit pro-demokracisë për të protestuar kundër burgosjes së kryebashkiakut të opozitës së Stambollit, Ekrem Imamoglu.
Burgosja e tij në mars shkaktoi protesta të mëdha në vend – në më shumë se një dekadë.
Një shoqatë avokatësh tha se më shumë se 200 protestues ishin arrestuar para mesditës në Sheshit Taksim në qendër të Stambollit, një pikë simbolike tubimi e mbyllur prej kohësh për grumbullimet e 1 Majit.
Autoritetet bllokuan sot hyrjen në qendër të Stambollit dhe mbyllën linjat e tranzitit.
Arrestimet në Turqi u kryen ndërsa njerëzit në të gjithë Azinë nisën festimet e 1 Majit me marshime dhe protesta të mëdha – shumë prej të cilave u përqendruan në politikat e presidentit të SHBA-së Donald Trump dhe frikën e pasigurisë ekonomike globale.
Në Manila, mijëra punëtorë filipinas marshuan pranë pallatit presidencial, ku policia bllokoi hyrjen me barrikada.
Protestuesit kërkuan paga më të larta dhe mbrojtje më të madhe për vendet e punës dhe bizneset lokale.
Kjo vjen ndërsa mijëra njerëz pritet të marrin pjesë në tubime dhe marshime në të gjithë SHBA-në, duke përfshirë Çikagon, Los Anxhelesin, Nju Jorkun dhe Filadelfian.
Organizatorët në SHBA thanë se mesazhi i tyre këtë vit ishte përqendruar në luftimin e qasjes së Trump për të synuar emigrantët, punonjësit federalë dhe iniciativat e diversitetit.
Los Anxhelesi organizoi një nga ngjarjet më të mëdha të 1 Majit në botë këtë vit.
“Jemi kundër miliarderëve dhe politikanëve që po përpiqen të na ndajnë përmes frikës dhe gënjeshtrave. Ne e dimë të vërtetën – një sulm ndaj punëtorëve emigrantë është një sulm ndaj të gjithë punëtorëve”, tha në një deklaratë April Verrett, presidente e Unionit Ndërkombëtar të Punonjësve të Shërbimeve, i cili përfaqëson dy milionë punëtorë.
Në Tajvan, Presidenti Lai Ching-te iu referua tarifave të reja amerikane nën drejtimin e Trump, ndërsa promovoi një projektligj të propozuar për shpenzimet që synon stabilizimin e tregut të punës dhe mbështetjen e jetesës. //a.i/