SHBA – Këshilltari i Sigurisë Kombëtare, Mike Waltz do të largohet nga detyra

UASHINGTON, 1 maj /ATSH-DPA/- Këshilltari i Sigurisë Kombëtare i presidentit të SHBA-së, Donald Trump, Mike Waltz, do të largohet nga Shtëpia e Bardhë, njoftoi sot media amerikane.
“Waltz, i cili ishte i përfshirë në publikimin e informacionit konfidencial përmes një bisede në grup në “Signal”, ku përfshihej edhe një gazetar, pritet të largohet së shpejti nga posti i tij”, raportuan transmetuesit CBS, “Fox News” dhe CNN.
Shtëpia e Bardhë nuk i konfirmoi menjëherë detajet rreth largimit të Waltz dhe një pasardhësi të mundshëm.
Në mars, mesazhet u shkëmbyen gjatë një bisede në aplikacionin “Signal” midis zyrtarëve të lartë amerikanë në lidhje me sulmet ushtarake amerikane ndaj objekteve Houthi në Jemen. Waltz me sa duket e ftoi aksidentalisht Jeffrey Goldberg, kryeredaktorin e revistës “The Atlantic”, në bisedën në grup.
Goldberg tha se ishte në gjendje të lexonte planet drejtpërdrejt në lidhje me veprimet e ardhshme ushtarake amerikane kundër milicisë Houthi të mbështetur nga Irani, në Jemen në bisedë, ku përfshihej edhe sekretari i Mbrojtjes Pete Hegseth dhe anëtarë të tjerë të lartë të qeverisë.
Shkëmbimi i informacionit të klasifikuar në “Signal” nga anëtarë të lartë të qeverisë shkaktoi zemërim.
Administrata e Trump ka qenë në detyrë që nga 20 janari. Largimi i Waltz do ta bënte atë anëtarin e parë të lartë të qeverisë që largohet nga Shtëpia e Bardhë. //a.i/