UASHINGTON – SHBA: Marrëveshja me Kievin për mineralet do ta forcojë Trump në bisedimet me Rusinë

UASHINGTON/ KIEV, 1 maj /ATSH/- Kievi dhe Uashingtoni përshëndetën sot marrëveshjen që i mundëson SHBA-së akses preferencial në mineralet e reja ukrainase – duke e konsideruar atë një moment historik, sipas “Reuters”.
Sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent tha se marrëveshja do t’i lejonte presidentit Donald Trump të negocionte me Rusinë mbi një bazë më të fortë.
Kremlini ka qëndruar në heshtje pas nënshkrimit të marrëveshjes SHBA-Ukrainë, por ish-presidenti rus, Dmitry Medvedev tha se kjo do të thoshte se Trump kishte “thyer regjimin e Kievit” pasi Ukraina do të duhej të paguante për ndihmën ushtarake amerikane përmes burimeve minerale.
Marrëveshja, e cila u nënshkrua në Uashington dhe u promovua shumë nga Trump, krijon një fond të përbashkët investimesh për rindërtimin e Ukrainës, ndërsa presidenti amerikan përpiqet të sigurojë një zgjidhje paqeje në luftën e Rusisë në Ukrainë.
Marrëveshja gjithashtu i jep SHBA-së akses preferencial në projektet e reja minerale ukrainase.
Rregullimi i lidhjeve me Shtëpinë e Bardhë, të cilat u prishën pasi Trump mori detyrën në janar, është thelbësore.
“Marrëveshja do t’i tregojë udhëheqjes ruse se nuk ka dallim midis popullit ukrainas dhe popullit amerikan, midis qëllimeve tona”, tha sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent për “Fox Business Network”.
“Ky është një sinjal i fortë për udhëheqjen ruse dhe i jep presidentit Trump mundësinë që tani të negociojë me Rusinë mbi një bazë edhe më të fortë”, tha ai.
Deklarata e tij duket se i dërgoi një sinjal Rusisë – se Uashingtoni mbetet i lidhur me Kievin – pavarësisht pikëpyetjeve mbi angazhimin e tij ndaj aleatit të tij – që nga kthimi i Trump në pushtet, i cili përmbysi diplomacinë amerikane.
Zyrtarë të lartë të administratës Trump thanë se kishin nënshkruar tre marrëveshje – një marrëveshje kornizë dhe dy marrëveshje teknike – dhe se ata prisnin që parlamenti i Ukrainës t’i miratonte ato brenda një jave. //a.i/