E Diel, 1 Nëntor 2026

Tabaku: Nivel rekord i rënies së eksporteve, të mbrojmë prodhimin vendas

TIRANË, 19 shkurt /ATSh/ Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku prezantoi sot në Kuvend projektligjin “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”.

Tabaku tha se “po prodhohen produkte shqiptare që nuk shiten dot në tregjet shqiptare apo jashtë vendit prej një modeli ekonomik të dështuar”.

“Modeli ekonomik sot familjeve shqiptare është duke u marrë frymën. Nga ky model sot në tre sektorët kryesorë të bujqësisë, të prodhimit fason që kanë mbajtur eksportet, por edhe të produkteve të tjera që mund të konsiderohen artizanale ka rënie në eksporte, rënie në punësim. Të dhënat e fundit të prezantuara nga INSTAT, tregojnë për një nivel rekord të rënies së eksporteve që janë tkurrur me 4.5%, energjia ka rënë 2.9%, tekstilet kanë rënë me 5.8%, ushqimet me 2%”, tha Tabaku.

Sipas Tabakut, kjo tregon që produktet shqiptare nuk po shiten më.

“Kjo tregon që produktet shqiptare qoftë prej politikës së gabuar të taksave, zhvlerësimit të euros, edhe prej faktit që një pjesë e madhe e politikave të qeverisë është e orientuar në sektorë të veçantë me ligje speciale në mbështetje për biznese të mëdha, në ulje taksash për hotele me pesë yje, ndërkohë që produkte shqiptare i lënë që të hidhen rrugëve”, vijoi Tabaku.

Deputetja e PD-së, nënvizoi se për 11 vite është dëgjuar një propagandë për produktet Made in Albania, duke rënë në retorikë patriotike.

“Patriotizmi matet me faturën e akcizës që i çon biznesit në fund të muajit. Në vitin 2022 kjo qeveri bëri një akt, asgjësuan fashën mbrojtëse për prodhuesit e vegjël për produktin që kam prezantuar sot që është birra artizanale e prodhuesve të vegjël që janë 9 në total në Shqipëri”, vijoi ajo.

“U vendos që një punishte artizanale që punëson pesë persona të paguajë të njëjtën akcizë si një gjigant që prodhon miliona litra. Kjo është pabarazi ulëritëse. Direktivat e BE-së që janë kushtetuta sa i përket taksave, thotë qartë, se shtetet anëtarë duhet të aplikojnë norma të reduktuara deri në 50% për prodhuesit e vegjël dhe të pavarur”, theksoi Tabaku, ndërsa shtoi se Shqipëria është i vetmi vend me taksë doganore për lëndët e para në kufirin 5-15%.

“Zero e ka Kosova, Shqipëria sot nuk po prodhon më, nuk eksporton më, Shqipëria sot nuk po i mban produktet Made in Albania, e pastaj mburren për bujqësinë, turizmin që janë të dyja duke u shteruar. Bujqësia pak kohë më parë kishte 20% të produktit të brendshëm bruto, është ulur në 16%, ndërsa produktet e fshatit hidhen në rrugë”, tha Tabaku.

/e.i/j.p/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›