BRUKSEL – Von der Leyen planifikon të vizitojë Groenlandën, mes bisedimeve për fatin e ishullit

BRUKSEL, 19 shkurt /ATSH-DPA/- Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen ka planifikuar të vizitojë Groenlandën në javët e ardhshme, tha sot një zëdhënëse, pasi mosmarrëveshja me presidentin e SHBA-së, Donald Trump për ishullin Arktik shkaktoi frikën e një konflikti me NATO-n.
“Kryetarja e komisionit ka planifikuar një udhëtim në rajonin e Arktikut, përfshirë Groenlandën, në mars”, tha zëdhënësja, pa dhënë detaje të mëtejshme.
Mosmarrëveshja mbi Groenlandën u përshkallëzua në janar, kur presidenti amerikan, Donald Trump kërcënoi se do të aneksonte territorin e administruar nga Danimarka, duke pretenduar se vetëm Shtetet e Bashkuara të Amerikës mund ta mbronin atë nga kërcënimet e perceptuara ruse dhe kineze në rajon.
Trump, përfundimisht tërhoqi kërcënimet e tij për të përdorur forcën ushtarake, për të marrë kontrollin e ishullit dhe tarifat e tij ndëshkuese ndaj vendeve evropiane të NATO-s, për shkak të mbështetjes së tyre për Groenlandën dhe aleaten e NATO-s, Danimarkën.
NATO, që atëherë ka rritur praninë e saj ushtarake në Arktik, ndërsa Danimarka, SHBA-ja dhe Groenlanda po zhvillojnë bisedime mbi të ardhmen e ishullit. //a.i/