E Diel, 1 Nëntor 2026

FOKUS – Udhëheqësit globalë diskutojnë rreziqet dhe përfitimet e IA-së në samitin e Nju Delhit

NJU DELHI, 19 shkurt /ATSH-DPA/- Udhëheqësit globalë nga bota e politikës dhe teknologjisë përshkruan sot rreziqet dhe përfitimet që paraqet inteligjenca artificiale (IA) në Samitin e Ndikimit të IA-së, në Nju Delhi.

Drejtori ekzekutiv i “OpenAI”, Sam Altman, bëri sërish thirrje për një autoritet rregullator global të IA-së të modeluar sipas Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike, ndërsa sekretari i përgjithshëm i OKB-së, António Guterres, bëri thirrje për më shumë mbështetje për vendet në zhvillim, në fushën e teknologjisë së së ardhmes dhe për krijimin e një fondi global të IA-së.

Kryeministri indian, Narendra Modi dhe presidenti francez, Emmanuel Macron, ishin folësit e tjerë kryesorë në samitin e parë të IA-së në Jugun Global, duke kërkuar që teknologjia të bëhej e arritshme për të gjithë.

Një deklaratë e përbashkët mbi rritjen e bashkëpunimit ndërkombëtar në fushën e IA-së po diskutohej gjithashtu në ditën e katërt të samitit, me një draft që deklaronte se vendimet e marra nga udhëheqësit aktualë, do të formësojnë botën e drejtuar nga IA-ja, që brezat e ardhshëm do të trashëgojnë.

Altman, kompania e të cilit krijoi “ChatGPT”, ishte midis disa shefave të teknologjisë të pranishëm. Në fjalimin e tij, ai tha se ishte e qartë se rregullat dhe masat e sigurisë ishin urgjentisht të nevojshme.

Në muajt e fundit, paralajmërimet rreth fuqisë potencialisht shkatërruese të IA-së janë bërë më të forta, mes frikës se teknologjia, së shpejti mund të arrijë një lloj superinteligjence.

“Mund të jemi vetëm pak vite larg versioneve të hershme të një inteligjence të tillë”, tha Altman.

“Nëse kemi të drejtë, deri në fund të vitit 2028, më shumë nga kapaciteti intelektual i botës mund të qëndrojë brenda qendrave të të dhënave sesa jashtë tyre”, shtoi ai.

“Kjo duhet të merret seriozisht”, tha ai, duke e bërë të qartë se IA-ja do ta ndryshonte rrënjësisht tregun e punës.

Ai kërkoi një demokratizim të IA-së, të cilën e quajti “e vetmja rrugë e drejtë dhe e sigurt përpara”.

Altman theksoi rreziqe dhe pasiguri të mëtejshme në lidhje me IA-në, duke përfshirë disponueshmërinë e saj për diktatorët ose keqpërdorimin e saj, si armë biologjike me krijimin e patogjenëve, krejtësisht të rinj.

Ndërkohë, Guterres tha se qëllimi i tij për një fond global të IA-së ishte tre miliardë dollarë, të cilat, sipas tij ishin më pak se 1% e xhiros vjetore të kompanive të teknologjisë.

Ai shprehu shpresën se paratë mund të përdoreshin për të ndërtuar kapacitete bazë, në vendet ekonomikisht të pafavorizuara, duke përfshirë pajisjet e përgjithshme, të dhënat dhe fuqinë kompjuterike të përballueshme.

Shefi i “Alphabet”, Sundar Pichai, tha se inteligjenca artificiale mund të përmirësonte jetën e miliarda njerëzve dhe të zgjidhte disa nga pyetjet më të vështira në shkencë.

Ai theksoi kërkimin për vaksina dhe luftën kundër rezistencës ndaj antibiotikëve, si dy raste të mundshme përdorimi. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›