E Diel, 1 Nëntor 2026

Tabaku: PS e ka degdisur Shqipërinë në një udhëkryq, refuzon të zbatojë ligjin siç kërkohet në çdo vend evropian

TIRANË, 26 shkurt /ATSH/ Deputetja e Partia Demokratike, Jorida Tabaku, reagoi sot në lidhje me situatën politike. Tabaku tha se mazhoranca socialiste e ka degdisur Shqipërinë në një udhëkryq “atë të integrimit evropian, sepse refuzojnë të zbatojnë ligjin dhe drejtësinë siç kërkohet në çdo vend evropian: njësoj për të gjithë, pa përjashtime dhe pa privilegje”.

“Shqipëria është realisht në një udhëkryq. Dhe ironia është se ata që e kanë sjellë vendin në këtë pikë janë e njëjta forcë politike që në vitin 2010 refuzoi të votojë tre ligje të rëndësishme, duke bllokuar institucionet për interesa të ngushta politike. Sot, po e njëjta parti dhe i njëjti kryetar partie e kanë degdisur Shqipërinë në një tjetër udhëkryq, atë të integrimit europian, sepse refuzojnë të zbatojnë ligjin dhe drejtësinë siç kërkohet në çdo vend evropian: njësoj për të gjithë, pa përjashtime dhe pa privilegje”, shkruan Tabaku.

Tabaku u ndal edhe tek situata ekonomike, duke përmendur një sërë problematikash që rëndojnë mbi qytetarët. Deputetja demokrate e cilëson situatën pasojë të një modeli qeverisjeje që vendos interesin personal mbi atë kombëtar.

“Në një Shqipëri që renditet e fundit në rajon për fuqinë blerëse për frymë, që lëngon për pensione dinjitoze, që përballet me një klimë biznesi të pasigurt dhe ku zhvlerësimi i euros nga paratë e pista shoqërohet me rritje të përditshme të çmimeve të shportës, ky udhëkryq bëhet edhe më dramatik. Nuk është një ndalesë që e kemi zgjedhur. Është një pengesë që na është imponuar nga një model qeverisjeje që vendos interesin personal mbi interesin kombëtar”, theksoi Tabaku.

Në mbyllje të reagimit të saj, ajo bëri thirrje për angazhim qytetar dhe pjesëmarrje në protestën e 28 shkurtit.

“Kjo aventurë politike, që përpiqet të ndërtojë mitin e një lideri të pazëvendësueshëm, e ka zhvendosur debatin nga standardet evropiane te kultivimi i pushtetit personal. Por zgjedhja përpara nesh është e qartë: ose një sistem i mbyllur, ku korrupsioni institucionalizohet dhe pushteti përqendrohet në një dorë të vetme, ose një Shqipëri evropiane, me institucione të forta, ekonomi të ndershme dhe drejtësi të barabartë për të gjithë.

“Çdo shqiptar e di se cilën rrugë duhet të zgjedhë. Dhe përgjigjja nuk është vetëm një mendim. Është një qëndrim. Një akt qytetar. Një zë që duhet të dëgjohet. Prandaj të shtunën përballë Kryeministrisë në orën 18:00 bëje zërin tënd të dëgjohet!”, shkruan Tabaku.

/m.q/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›