Tabaku nga Sauku: Bizneset po mbyllen, më 8 maj protestë kundër sistemit të pakicës

Deputetja e Partia Demokratike e Shqipërisë, Jorida Tabaku, zhvilloi një takim me qytetarë dhe biznese në Sauk, ku ngriti shqetësimin për atë që e cilësoi si një krizë të thellë besimi në ekonomi.
Në një video të publikuar në rrjetet sociale, Tabaku deklaroi se gjatë takimeve me biznese, pensionistë dhe të rinj, shqetësimi kryesor ishte i njëjtë: rënia e konsumit dhe përkeqësimi i gjendjes ekonomike të familjeve.
“Sot qytetarët konsumojnë më pak, bizneset shesin më pak dhe njerëzit janë më të varfër. Ka një krizë të madhe besimi në ekonomi,” u shpreh ajo, duke shtuar se ky fenomen reflektohet në të gjithë treguesit ekonomikë.
Deputetja theksoi se edhe zona si Sauku, pranë Tiranë, që nuk konsiderohen tradicionalisht të varfra, po përballen me të njëjtat vështirësi që ndihen në mbarë vendin.
Sipas saj, ekonomia shqiptare po vuan nga mungesa e besimit, çka ndikon drejtpërdrejt në uljen e shpenzimeve, të ardhurave dhe aktivitetit të biznesit.
Tabaku akuzoi gjithashtu qeverinë se nuk punon për shumicën e qytetarëve, duke e cilësuar Shqipërinë si “vend të pakicës”, ku, sipas saj, është bërë e vështirë të përballosh jetesën me punë të ndershme.
Në përfundim, ajo bëri thirrje për pjesëmarrje në protestën e paralajmëruar më 8 maj, duke theksuar nevojën për ndryshim të modelit ekonomik dhe rritjen e mundësive për qytetarët.
Tabaku:
“Mbi një orë në Sauk me biznese, qytetarë, familjarë, me pensionistë, me të rinj… të gjithë kanë të njëjtin shqetësim. Këdo që takon kanë të njëjtin shqetësim sot.
Qytetarët konsumojnë më pak. Sot shitet më pak nëpër biznese. Qytetarët janë më të varfër. Ka një krizë të madhe besimi. Besimi në ekonomi, që reflektohet edhe nga të dhënat, që besimi në ekonomi ka rënë.
Nuk ka rëndësi në bie 1, 2, 3 apo 5 pikë. Rëndësi ka që ekonomia shqiptare po lëngon.
Dhe kjo krizë besimi, që reflektohet në shpenzime, në më pak të ardhura për familjet, në biznese që shesin më pak, në konsum më pak dhe në çdo tregues tjetër në ekonomi, është problemi i vërtetë i ekonomisë shqiptare.
Kjo zonë këtu nuk mbahet për një zonë varfër. Është pak kilometra larg qendrës së Tiranës. Nuk mbahet sigurisht as për nga më të pasurat, por këtu reflektohet pasqyra e Shqipërisë. Këtu reflektohet ajo që ndjen sot çdo qytetar: vështirësinë për të mbyllur muajin.
Fatkeqësisht Shqipëria është bërë tashmë vendi i pakicës. Nuk punon qeveria për shumicën e qytetarëve.
Është e pamundur sot, në Tiranë, në çdo qytet tjetër, t’ia dalësh me punë të ndershme. Këtë duhet të ndryshojmë: sistemin e pakicës.
Shqipëria duhet të jetë e mundësive për këdo, për çdo shqiptar, që me punë të ndershme, me dinjitet, do t’ia dalë.
Për këtë arsye protestojmë me datën 8 maj.”