E Diel, 1 Nëntor 2026

Tafani: Segmenti rrugor Belsh-Shkëndijë i bllokuar, shmangni qarkullimin

TIRANË, 8 janar /ATSH/ Kryetari i bashkisë së Belshit, Arif Tafani njoftoi se segmenti rrugor Belsh-Shkëndijë është i bllokuar, për shkak se rruga ndodhet nën ujë.

Tafani njoftoi se si pasojë e reshjeve të dendura të shiut, në disa zona të bashkisë Belsh po mbizotëron një situatë problematike.

“Liqeni kryesor në qendër të qytetit ka shënuar rritje të ndjeshme të kuotës ujore dhe për shkak të prurjeve të shtuara ka dalë nga shtrati. Që prej ditës së djeshme janë hapur portat e shkarkimit për të menaxhuar situatën dhe për të garantuar sigurinë e zonës urbane. Si pasojë e shkarkimit të digës së Trojasit dhe reshjeve që vijojnë me intensitet të lartë, segmenti rrugor Belsh–Shkëndijë është aktualisht i bllokuar, pasi rruga ndodhet nën ujë”, theksoi Tafani.

Tafani u bëri thirrje qytetarëve që të shmangin qarkullimin në këtë aks rrugor deri në përmirësimin e kushteve dhe normalizimin e situatës.

Sipas tij strukturat e bashkisë Belsh, në bashkëpunim me Emergjencat Civile të Prefekturës Elbasan, janë në monitorim të vazhdueshëm të situatës dhe në gatishmëri të plotë për çdo ndërhyrje të nevojshme.

Ai nënvizoi se për çdo problematikë, qytetarët të kontaktojnë strukturat përkatëse të bashkisë.

/m.q/a.f/r.e/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›