E Hënë, 2 Nëntor 2026

Takimi i 20 i Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit, Balla: Jemi në fazën më të avancuar të integrimit europian

TIRANË, 28 tetor/ATSH/ Në Tiranë mbahet përgjatë dy ditëve takimi i 20-të i Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit. Takimi u bashkëkryesua nga kreu i grupit parlamentare të Partisë Socialiste, Taulant Balla dhe  Marco Tarquinio, kryetar i delegacionit të Parlamentit Europian.

Balla, në hapje të takimit deklaroi se Shqipëria ndodhet në momentin më të rëndësishëm të rrugës drejt anëtarësimit në BE.

“Tre vite pas hapjes zyrtare të negociatave, Shqipëria ndodhet në fazën më të avancuar të procesit të saj integrues. Në më pak se një vit, vendi ynë ka hapur pesë nga gjashtë grup-kapitujt e negociatave, përfshirë shtetin e së drejtës, tregun e brendshëm, konkurrueshmërinë, agjendën e gjelbër dhe politikat e jashtme. Ky është një ritëm që rrallëherë është regjistruar në historinë e zgjerimit të BE-së dhe është dëshmi e qartë e gatishmërisë së Shqipërisë për të ecur me shpejtësi, përgjegjësi dhe besueshmëri”, u shpreh Balla.

Kreu i grupit parlamentar të mazhorancës nënvizoi se rezultatet konkrete në drejtësi, luftën kundër korrupsionit dhe përputhshmërinë me politikat e përbashkëta të Bashkimit Europian dëshmojnë gatishmërinë e Shqipërisë për të ecur me “shpejtësi, përgjegjësi dhe besueshmëri”.

“Reforma në drejtësi mbetet themeli i progresit tonë drejt Bashkimit Europian duke regjistruar hapa konkretë përmes luftës kundër korrupsionit. Përmes Planit të Reformës dhe Rritjes, Shqipëria është vlerësuar si vendi më i përparuar në rajon për zbatimin e masave reformuese dhe përputhjen me kushtëzimet e Komisionit Europian, duke përmbushur 21 nga 41 masat e parashikuara në këtë instrument të ri të BE-së”, vijoi Balla.

Ai theksoi gjithashtu se komisionet për reformat zgjedhore dhe territoriale të miratuara me konsensus në Kuvend janë shembull i frymës europiane që duhet të udhëheqë politikën shqiptare.

Sipas Ballës, Parlamenti shqiptar mbetet shtylla qendrore e procesit të integrimit, duke garantuar transparencë dhe përfshirje në çdo hap të negociatave me BE-në. Ai nënvizoi përparimin e dukshëm të vendit në zbatimin e reformave, duke theksuar se Shqipëria ka përmbushur 21 nga 41 masat e parashikuara në Planin e Reformës dhe Rritjes dhe ruan 100% përputhshmëri me politikën e jashtme dhe të sigurisë së BE-së.

Balla vuri në dukje se në politikën e jashtme dhe të sigurisë, Shqipëria ruan 100% përputhshmëri me politikën e përbashkët të Bashkimit Europian, duke qëndruar krah për krah me partnerët tanë në çdo vendimmarrje strategjike.

Balla tha po ashtu se në këtë sesion të 20-të të Komitetit Parlamentar të Stabilizim–Asociimit, nuk po kërkohet vetëm vlerësim, por konfirmohet partneriteti në procesin e zgjerimit. “Objektivi ynë është i qartë: përmbushja e plotë e të gjitha kritereve ndërmjetëse deri në fund të këtij viti, në mënyrë që të mbahet Konferenca Ndërqeveritare në dhjetor dhe të nisë mbyllja e kapitujve gjatë vitit 2026”, tha Balla.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›