E Martë, 3 Nëntor 2026

Takimi i SACP Shqipëri-BE në Strasburg, vlerësohet progresi i qëndrueshëm në çeljen e negociatave

TIRANË, 19 qershor/ATSH/ Përgjatë dy ditëve (18-19 qershor) në Strasburg (Francë) u zhvillua takimi i 19-të i Komisionit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit (SAPC) Shqipëri-Bashkimi Europian.

Në këtë aktivitet mori pjesë delegacioni shqiptar i kryesuar nga deputeti i PS-së Toni Gogu dhe në përbërje me deputetët: Fatmir Xhafaj (PS), Etjen Xhafaj (PS), Enslemvera Zake (PS), Evis Kushi (PS), Lavdrim Krrashi (PS), Jorida Tabaku (PD), Gazment Bardhi (PD), Oerd Bylykbashi (PD), Agron Gjekmarkaj (PD), Zheni Gjergji (PD), Ina Zhupa (PD) dhe Saimir Korreshi (PD).

Përmes një njoftimi për shtyp, Kuvendi informoi se gjatë punimeve u diskutuan çështje të rëndësishme, si marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimi rajonal; të drejtat themelore; liria e medias; turizmi dhe zhvillimi i qëndrueshëm; shteti i së drejtës dhe lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Në sesionin kushtuar marrëdhënieve BE–Shqipëri, përfaqësues të institucioneve shqiptare dhe të Bashkimit Europian (Shërbimi Evropian i Veprimit të Jashtëm – EEAS dhe Komisioni Evropian) shkëmbyen pikëpamje mbi ecurinë e deritanishme të procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në BE.

Në këtë drejtim, Kuvendi nënvizon se u vlerësua progresi i qëndrueshëm i arritur gjatë gjysmës së parë të vitit 2025, përfshirë hapjen e katër grup-kapitujve të negociatave – veçanërisht Grup-kapitullit 1 – Themelorët, si dhe përparimin në përafrimin me Acquis të BE-së dhe politikat e saj.

“U theksua gjithashtu rëndësia e forcimit të mëtejshëm të institucioneve, garantimit të pavarësisë së gjyqësorit dhe përmirësimit të mekanizmave të llogaridhënies. Palët nënvizuan domosdoshmërinë për të ruajtur ritmin e reformave strukturore dhe për të avancuar me përgatitjet”, thuhet në njoftimin për shtyp të Kuvendit.

Në këtë kontekst, u theksua rëndësia e mbështetjes së vazhdueshme teknike dhe politike nga institucionet e BE-së, si dhe thellimi i dialogut institucional, në funksion të përmbushjes së objektivit strategjik të Shqipërisë për anëtarësim të plotë në Bashkimin Europian brenda dekadës.

Në fund të takimit dy bashkëkryetarët, Marco Tarquinio dhe Toni Gogu dolën me deklaratë të përbashkët.

1 nga 11

/m.m/r.e/a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›