E Martë, 3 Nëntor 2026

Tare: Kam ardhur me ide të qarta tek Milan, të përsërisim në të ardhmen lavdinë e dikurshme

TIRANË, 28 maj /ATSH/ Drejtori i ri sportiv i Milanit, Igli Tare, ka dhënë një intervistë për Milan TV, ku ka theksuar se idetë e tij në drejtimin e klubit sportiv janë të qarta.

“Kam ardhur me ide të qarta. Jam shumë entuziast dhe dua ta reflektoj këtë gjë këtu. Dua të jem një shembull jo vetëm për futbollistët, por edhe për stafin teknik dhe po ashtu të bëj më të mirën time edhe në merkato”, u shpreh Tare.

“Futbollistët që vijnë te AC Milan duhet të kuptojnë që të veshësh këtë bluzë është një përgjegjësi e madhe. Gjithçka ndikon në rezultatin final, që përfshin atë që ndodh në fushë dhe vetë rezultatin në fund të ndeshjes”, theksoi ish-sulmuesi i Kombëtares shqiptare.

Tarë shtoi se, Milan ka një histori të lavdishme.

“E njoh dhe e kam ndjekur që fëmijë. Më kujtohet koha e Ray Wilkins dher Mark Hateley. I mbaj mend shumë qartë ato vite, sepse në familjen tim kam fansa të mëdhenj të AC Milan. Të gjithë xhaxhallarët e mi janë milanistë. Kështu që ka qenë gjithmonë një lidhje e fortë”, tha Tare.

“Do të përpiqem të bëj gjithçka që ne të përsërisim në të ardhmen lavdinë e dikurshme, sepse ky klub ka një histori mbresëlënëse. Duhet të prezantojmë projektin tonë sa më shpejt, veçanërisht te tifozët që presin një reagim të fortë dhe në fakt, këtë duam edhe ne”, tha ai.

/a.f/

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›