Tatimet: Sot afati i fundit për dorëzimin e DIVA-s

Administrata Tatimore rikujton dhe inkurajon të gjithë tatimpaguesit që të dorëzojnë deklaratat tatimore vjetore për vitin 2025 përpara afatit të fundit, 31 mars 2026, për të shmangur vonesa dhe vështirësi të mundshme si pasojë e fluksit të lartë në sistem gjatë ditëve të fundit.
Sipas AT-së, ky detyrim përfshin: Personat fizikë që dorëzojnë Deklaratën Vjetore të të Ardhurave nga Biznesi (TAPB); Personat juridikë që dorëzojnë Deklaratën Vjetore të të Ardhurave të Korporatës (TAK) dhe individët që dorëzojnë Deklaratën Vjetore të të Ardhurave Personale (DVAP – DIVA).
Ky vit shënon edhe unifikimin e afatit të deklarimit për të gjitha deklaratat tatimore vjetore në 31 mars 2026.
Sipas të dhënave të Administratës Tatimore, deri më 31 mars janë dorëzuar:
102,840 deklarata personale për të ardhurat nga biznesi;
28,812 deklarata për tatimin mbi të ardhurat e korporatës;
145,254 deklarata DIVA nga individët.
Deklarimi i hershëm shmang mbingarkesën e sistemit, penalitetet për vonesë dhe siguron përmbushjen e detyrimeve ligjore. Për çdo informacion apo asistencë, tatimpaguesit mund të kontaktojnë Qendrën e Thirrjeve në numrin pa pagesë 0800 0002.
Administrata Tatimore vlerëson bashkëpunimin e tatimpaguesve për përmbushjen në kohë të detyrimeve dhe shmangien e penaliteteve.