Tatimet caktojnë pagat në ndërtim, jo rroga më pak se 80 mijë lekë, deklarimi i ulët kontrollohet

Administrata Tatimore ka publikuar listën e pagave indikative për profesionet në sektorin e ndërtimit dhe u bëri apel tatimpaguesve të deklarojnë saktë pagat reale të punonjësve, për të shmangur masat administrative dhe kontrollet e mëvonshme.
Publikimi i pagave është pjesë e zbatimit të planit sektorial të ndërtimit dhe rritjes së kontributeve për sigurimet shoqërore, me synim forcimin e skemës së pensioneve. Sipas Administratës Tatimore, pagat e deklaruara nga subjektet që ushtrojnë aktivitet në këtë sektor do të analizohen dhe krahasohen me nivelin orientues të pagave për profesionet përkatëse.
Gjithashtu DPT paralajmëron se çdo tatimpagues që deklaron paga më të ulëta se nivelet indikative, apo ndryshon qëllimisht kategorinë profesionale të punonjësve për të raportuar paga më të vogla, do të konsiderohet me risk dhe do të përfshihet në planet e kontrollit nga strukturat e specializuara.
Për drejtuesit e mjeteve të rënda llogaritet 110 mijë lekë, për arkitektët 120 mijë lekë, për agjentët e pasurive të paluajtshme 124 mijë lekë, për elektricistët 95 mijë lekë, për hidraulikët 95 mijë lekë, për hekurkthyesit 90 mijë lekë dhe për shtruesit e pllakave 90 mijë lekë.
Administrata Tatimore u bën thirrje bizneseve të respektojnë detyrimet ligjore dhe të deklarojnë me korrektësi pagat dhe profesionet e punonjësve, me qëllim formalizmin e tregut të punës dhe mbrojtjen e të drejtave të tyre.
/rtsh.al/