E Diel, 1 Nëntor 2026

Tatimet kompensojnë 10.4 milionë euro detyrime të falura

TIRANË, 12 qershor/ATSH/ Administrata Tatimore kreu kompensimin automatik të tepricës kreditore të detyrimeve tatimore të papaguara të tatimpaguesve, në kuadër të zbatimit të ligjit për faljen e detyrimeve tatimore.

Sipas njoftimit zyrtar, vlera totale e kompensimit arriti 10,4 milionë euro, duke përfshirë 13,408 tatimpagues përfitues dhe 86,773 transaksione të kryera në mënyrë automatike.

Administrata Tatimore bëri të ditur se procesi është pjesë e masave të parashikuara në ligjin për faljen e detyrimeve tatimore dhe synon të lehtësojë barrën financiare të mijëra tatimpaguesve, pa qenë e nevojshme paraqitja e aplikimeve apo ndjekja e procedurave shtesë administrative.

Ndërkohë, që prej datës 10 qershor 2026 ka nisur edhe zbatimi i skemës së faljes me kusht të detyrimeve tatimore, gjobave dhe kamatëvonesave.

Për detyrimet që i përkasin periudhës 2015-2019, tatimpaguesit përfitojnë fshirjen e 50% të detyrimit principal, si dhe fshirjen e plotë të gjobave dhe kamatëvonesave, në rast se pjesa e mbetur prej 50% paguhet njëherësh brenda afatit nga 10 deri më 30 qershor 2026.

Po për të njëjtën periudhë, parashikohet fshirja e 25% të detyrimit principal dhe fshirja e plotë e gjobave dhe kamatëvonesave, nëse 75% e mbetur e detyrimit paguhet deri më 31 dhjetor 2026.

Ndërsa për detyrimet e krijuara gjatë periudhës 2020-2024, ligji parashikon fshirjen e plotë të gjobave dhe kamatëvonesave, me kusht që tatimpaguesit të shlyejnë 100% të detyrimit principal deri më 31 dhjetor 2026.

Administrata Tatimore u ka bërë thirrje bizneseve dhe tatimpaguesve të verifikojnë situatën e tyre tatimore në sistemin e-Filing dhe të kryejnë pagesat brenda afateve të përcaktuara, për të përfituar nga lehtësitë e ofruara nga ligji. /j.p/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›