E Diel, 1 Nëntor 2026

TENERIFE – Papa Leone XIV paralajmëron trafikantët e migrantëve: Pendohuni ose do të përballeni me ferrin

TENERIFE, 12 qershor /ATSH/- Papa Leone XIV u bëri thirrje sot trafikantëve të qenieve njerëzore dhe grupeve kriminale, që shfrytëzojnë migrantët në rrugën drejt Evropës, të pendohen, duke paralajmëruar se do të përballen me drejtësinë hyjnore për jetët e humbura, raportoi “Reuters”.

Gjatë vizitës së tij në Ishujt Kanarie, një nga pikat kryesore të mbërritjes së migrantëve në Evropë, Papa Leone dënoi individët, që organizojnë rrugë të rrezikshme migrimi dhe përfitojnë nga dëshpërimi i njerëzve.

“Ndaluni. Pendohuni. Për çdo jetë të humbur dhe çdo familje të mashtruar, do të jepni llogari para drejtësisë hyjnore”, deklaroi ai.

Papa Leone theksoi se “lotët dhe gjaku” i migrantëve të shfrytëzuar “thërrasin drejt Zotit”, ndërsa u kërkoi udhëheqësve botërorë të trajtojnë migrantët me më shumë humanizëm dhe dinjitet.

Sipas të dhënave zyrtare, Ishujt Kanarie pritën mbi 46 000 migrantë të parregullt, gjatë vitit 2024, ndërsa më shumë se 3 000 persona, humbën jetën në vitin 2025 duke tentuar të arrijnë arkipelagun përmes Atlantikut. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›