E Diel, 1 Nëntor 2026

Tatimet nisin kompensimet nga DIVA edhe për individët pa fëmijë në ngarkim

TIRANË, 26 maj/ATSH/ Administrata Tatimore nis kompensimin e tatimit të mbipaguar që rezulton nga Deklarata Individuale e të Ardhurave Vjetore (DIVA 2025) edhe për individët që nuk kanë përfituar zbritje shpenzimesh për fëmijët në ngarkim, por që kanë rezultuar me tepricë kreditore pas rillogaritjes së tatimit vjetor.

Sipas të dhënave nga administrata tatimore, kjo kategori individësh ka rezultuar me tatim të mbipaguar pasi gjatë përllogaritjes vjetore të të ardhurave, shuma e tatimit të mbajtur çdo muaj ka qenë më e lartë se detyrimi real vjetor.

Individët që rezultojnë me diferencë pozitive kanë të drejtë të kërkojnë kompensimin e shumës përmes sistemit “e-Filing”, duke paraqitur kërkesën përkatëse dhe të dhënat e llogarisë bankare.

Administrata Tatimore sqaron se për individët pa fëmijë në ngarkim, dokumentacioni i nevojshëm për aplikim përfshin vetëm numrin IBAN të llogarisë bankare në format PDF, i cili duhet të ngarkohet në sistemin elektronik.

Afati për të kërkuar kompensimin nuk humbet për 5 vite, ndërsa shqyrtimi i kërkesës nga administrata tatimore kryhet brenda një periudhe deri në 2 muaj.

Në total, për vitin 2025 janë dorëzuar rreth 164 mijë deklarata individuale të të ardhurave, me një rritje prej 25% krahasuar me një vit më parë.

Sipas të dhënave zyrtare, rreth 77 mijë individë pritet të përfitojnë kompensim nga sistemi DIVA për fëmijët nën moshën 18 vjeç, ndërsa fondi total i gjeneruar për rimbursime arrin në 1,4 miliardë lekë. Deri tani, individët kanë kërkuar rreth 670 milionë lekë për t’u transferuar në llogaritë e tyre bankare.

Për kategoritë që përfitojnë zbritje për fëmijët në ngarkim apo për shpenzimet arsimore, administrata tatimore kërkon ngarkimin e dokumentacionit justifikues, përfshirë certifikatën familjare, faturat e fiskalizuara dhe numrin IBAN të llogarisë bankare.

Administrata Tatimore u ka bërë thirrje qytetarëve që të plotësojnë saktë të dhënat bankare në sistemin “e-Filing”, me qëllim shmangien e vonesave në procesin e rimbursimit.

/a.f/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›