E Hënë, 2 Nëntor 2026

IZRAEL- Marrëdhëniet me Gjermaninë të tensionuara pas ndalimit të pjesshëm të armëve

BERLIN, 12 gusht /ATSH-DPA/ – Ambasadori izraelit në Gjermani, Ron Prosor, tha se vendimi i Gjermanisë për të ndaluar pjesërisht eksportin e armëve drejt Izraelit ka shkaktuar një goditje serioze në marrëdhëniet mes dy vendeve.

Në një intervistë sot për televizionin ”Welt Tv”, ai theksoi se lidhjet nuk janë ndërprerë plotësisht, por janë “realisht të tensionuara”.

Sipas tij, në vend që të diskutohej “çarmatimi i grupit islamist palestinez Hamas, tani po flitet për çarmatimin e Izraelit”.  “Kjo është një festë për Hamasin”, u shpreh ai.

Prosor pranoi se strategjia e Izraelit mund të diskutohej, por nëse përgjigjja do të ishte “ta lësh vendin pa mbrojtje, pa armë”, atëherë kjo do të nënkuptonte “ta lësh Izraelin të pambrojtur”.

Kancelari Friedrich Merz njoftoi javën e kaluar se Gjermania nuk do të eksportojë më armë në Izrael që mund të përdoren në Rripin e Gazës.

Ai e justifikoi këtë vendim duke iu referuar planeve të Izraelit për të zgjeruar operacionet ushtarake në territorin palestinez, përfshirë marrjen nën kontroll të qytetit të Gazës.

Merz theksoi se kjo pauzë nuk ndikon në pajisjet për mbrojtjen e vetë Izraelit, si sistemet e mbrojtjes ajrore dhe detare. /Ad.Ab./

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›