E Diel, 1 Nëntor 2026

Të gjitha rrugët të çojnë në Elbasan për “Ditën e Verës”. Ja masat e policisë dhe akset që bllokohen (HARTA)

Policia e Elbasanit ka vendosur masa të posaçme për të garantuar sigurinë dhe qetësinë gjatë aktiviteteve për Ditën e Verës, më 13 dhe 14 mars 2026.

Të gjitha strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë do të jenë në gatishmëri, me prezencë të shtuar në zonat ku zhvillohen festimet, në rrugët kryesore dhe në hyrje-daljet e qytetit.

Gjatë këtyre ditëve, disa rrugë do të jenë të mbyllura për qarkullim, përfshirë segmentin nga “Elbasan Arena” deri te rrethrrotullimi i “1 Majit”.

Po ashtu, ndalohet parkimi i mjeteve në qendër dhe përgjatë bulevardit “Aqif Pasha”.

Njoftimi i Policisë:

 

Policia e Elbasanit, plan të posaçëm masash, për të garantuar mbarëvajtjen e aktiviteteve të organizuara për Ditën e Verës.

Të gjitha strukturat e DVP Elbasan do të jenë në gatishmëri të plotë gjatë gjithë periudhës së festimeve, me prezencë të shtuar në zonat ku zhvillohen aktivitete, në akset kryesore rrugore, si dhe në hyrje/daljet e qytetit.

Më tej, informojmë se më datat 13 dhe 14 mars 2026, do të ketë kufizime të përkohshme të qarkullimit në disa segmente rrugore të qytetit.

Gjithashtu, për 48 orë, do të bllokohet segmenti rrugor nga “Elbasan Arena” deri te rrethrrotullimi i “1 Majit”.

Gjatë këtyre ditëve ndalohet parkimi i mjeteve në qendër të qytetit dhe përgjatë bulevardit “Aqif Pasha”, ndërkaq, shërbimet e Policisë Rrugore do të jenë të pranishme për orientimin dhe devijimin e trafikut.

Për të shmangur trafikun dhe për të lehtësuar qarkullimin, mjetet do të orientohen drejt hapësirave të përcaktuara të parkimit, sipas drejtimeve nga vijnë në qytet. Konkretisht:

  • mjetet që vijnë nga lindja (Ura e Bakallit), do të parkohen te Parku i Mallrave;
  • mjetet që vijnë nga jugu (Kryqëzimi i Cërrikut), do të parkohen te Shkolla e Formimit Profesional dhe te parkimi i ri pranë varrezave publike;
  • mjetet që vijnë nga perëndimi (Kryqëzimi i Luleve), do të parkohen te shkolla profesionale “Sali Ceka”, në afërsi të Doganës, si dhe në parkimin pranë stacionit të trenit.

Autobusët e linjës “Tiranë – Elbasan” do të stacionohen pranë Doganës, afër shkollës profesionale, ndërsa autobusët e linjës “Elbasan – Cërrik” do të stacionohen tek ish-ofiçina, në rrugën “Ura”, pranë tregut industrial.

Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan kërkon mirëkuptimin e qytetarëve, për të zbatuar udhëzimet e punonjësve të Policisë dhe rregullat e qarkullimit rrugor, me qëllim zhvillimin e qetë dhe të sigurtë, të festimeve.

Policia e Elbasanit ju uron, gëzuar Ditën e Verës!

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›