Të huaj, por vullnetarë në Shqipëri. Historitë frymëzuese nga dy të rinj në ndihmë të njerëzve

Me origjinë nga Ukraina, prej 8 vitesh jeton në Tiranë. Vasylisa Samoilenka kontribuon si vullnetare e Kryqit të Kuq në Shqipëri. Ndërsa rrëfen me një shqipe të pastër si erdhi në vendin tonë, për 16-vjeçaren nga Kievi, ndihma ndaj çdokujt nuk matet me numra.
“Erdhëm në fillim për punë e babit, por më pas na pëlqeu shumë këtu dhe kemi blerë dhe shtëpi, kemi 8 vite që jetojmë këtu. Unë gjithmonë doja të studioja për mjekësi. Te Kryqi i Kuq kam ardhur në fillim për një detyrë shkollë, por e kisha shumë dëshirë dhe vazhdova me vullnetarizëm. Kam mësuar që të bësh një gjë të mirë, është diçka që duhet bërë çdo ditë”, tregon Vasylisa Samoilenka.
Kur flet për vullnetarizmin, ndien keqardhje për popullin e Ukrainës, atje ku sot jeton gjysma e familjes së saj
“Çdo herë që më pyesin më dhemb zemra sepse kam familjen aty, kam gjyshërit dhe bëhem merak. Edhe tani emocionohem sepse është e vështirë të flas, por duhet të jemi të fortë dhe të ndihmojmë njerëzit që kanë nevojë për ndihmë dhe të kemi shpresë që do vijë një ditë që do mbarojë lufta”, tha ajo mes lotësh.
Shembull frymëzimi është ky i ri edhe nga Nigeria, i cili përveçse studion dhe punon është i aktivizuar edhe si vullnetar në Shqipëri.
“Studioj gjuhën shqipe në fakultetin e Historisë dhe Filologjisë. Vullnetarizmi është shumë i rëndësishëm. Unë punoj vetëm 3 ditë dhe bëj punë vullnetare gjithmonë:, u shpreh Daut Ibrahim Dachia.
Zgjedhja që këta të rinj kanë bërë duke përcjellë mesazhe me histori që frymëzojnë, nuk është vetëm një rastësi, por një zgjedhje nga dëshira për të ndihmuar njerëz, edhe pse në një vend të huaj.
Gazetare: E. Hasanbelli
/rtsh.al/