Humbi jetën duke shpëtuar dy turistë në liqen, bashkia e Shkodrës homazh për kapiten Arben Anamalin

TIRANË, 8 korrik/ATSH/ Kapiteni i një anijeje turistike në liqenin e Shkodrës, Arben Anamali, gjatë përpjekjes për të shpëtuar dy turistë që kishin rënë në ujë, është mbytur.
Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër bëri të ditur sot se rreth orës 16:32, është marrë njoftim nga Salla Operative se në liqenin e Shkodrës, kapiteni i anijes për qëllime turistike e Bashkisë Shkodër, shtetasi A. A., 51 vjeç, dyshohet se gjatë përpjekjes për të shpëtuar dy turistë që kishin rënë në ujë, është mbytur.
Turistët janë shpëtuar dhe ndodhen në gjendje të mirë shëndetësore.
Në vendngjarje kanë shkuar menjëherë shërbimet e Policisë, dhe vijojnë kërkimet për gjetjen e trupit të 51-vjeçarit.
Grupi hetimor vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Ndërkohë që bashkia e Shkodrës në një postim në rrjetet sociale shprehu ngushëllimet më të sinqerta për familjen Anamali në këtë moment të vështirë.
“Bashkia Shkodër humbi një nga njerëzit e saj më të përkushtuar, kapitenin e anijes turistike, Arben Anamali, i cili humbi jetën gjatë një akti heroik për të shpëtuar dy turistë që po rrezikoheshin të mbyteshin në liqenin e Shkodrës. Një akt humanizmi, por fatkeqësisht me një fund të hidhur. Arbeni ishte gjithmonë në shërbim të vizitorëve dhe turistëve, duke dhënë kontributin e tij me pasion dhe përkushtim deri në momentin e fundit të jetës”, thekson bashkia e Shkodrës.
/k.s/j.p/