E Martë, 3 Nëntor 2026

Të rinjtë në bujqësi në Korçë, mbështetje nga Këshilli i Qarkut për mbarështimin e bletëve

Këshilli i Qarkut Korçë përmes një projekti të fundit, do të ofrojë mbështetje për të rinjtë që dëshirojnë t’i dedikohen mbarështimit të bletës.

Aplikimet për projektin “Nxitja e të rinjve në bujqësi dhe mbështetja e bletarisë moderne në Qarkun e Korçës” janë kryer online dhe interesi i të rinjve ka qenë i lartë.

Kryetari i Këshillit të Qarkut, Erjon Nexhipi tha se këta të rinj do trajnohen për bletërritës, për teknikat dhe për kujdesin e bletëve.

Nexhipi shton se janë disa kritere të vendosura për përzgjedhjen e përfituesve. “Të jenë të papunë. Të jenë banorë të qarkut dhe të preferueshëm janë ata që nuk kanë mbaruar arsim të lartë, por nuk përjashtohen nga projekti dhe nga procesi i selektimit”, shtoi ai.

Këshilli i Qarkut në këtë projekt financon 3 milion lekë në mbështetje të të rinjve.

Në Qarkun Korçë aktualisht numërohen 52 mijë familje bletësh dhe numrin më të lartë të bletërritësve e kanë bashkitë Korçë dhe Maliq.

Gazetare: Geralda Sali

/rtsh.al/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›