E Diel, 1 Nëntor 2026

Teatri i Kukullave feston 75-vjetorin, Gonxhja: Një pasuri kombëtare, trashëgimi që vazhdon për brezat e rinj

Teatri i Kukullave shënon sot 75-vjetorin e themelimit, një jubile që nderon tri çerek shekulli traditë, art dhe shërbim ndaj fëmijëve. Në kuadër të kësaj dite të veçantë, ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, ka përcjellë një mesazh urimi dhe mirënjohjeje përmes një postimi në rrjetet sociale.

Gonxhja shprehet se Teatri i Kukullave ka sjellë për 75 vite “magjinë e kukullave, buzëqeshje dhe çaste lumturie” për breza të tërë fëmijësh.

Ai vlerëson kontributin e qindra artistëve, regjisorëve, skenografëve dhe mjeshtërve të kukullave që kanë ndërtuar me pasion dhe përkushtim historinë e këtij institucioni të çmuar.

“75 vite në shërbim të fëmijëve, duke sjellë magjinë e kukullave, buzëqeshje dhe çaste lumturie.

Një histori e ndërtuar me dashuri, përkushtim dhe artin e qindra mjeshtrave që kanë dhënë zemrën për këtë institucion të çmuar.

Sot, me mirënjohje e respekt, nderojmë të gjithë artistët që kontribuan përgjatë këtyre dekadave, ata që nuk janë më mes nesh, por lanë gjurmë të paharrueshme dhe ata që vazhdojnë me pasion stafetën e trashëgimisë për brezat e rinj”, shkruan Gonxhja.

Përvjetori i 75-të vjen si një moment reflektimi dhe festimi për rolin që Teatri i Kukullave ka luajtur në formimin kulturor të fëmijëve, duke mbetur një prej institucioneve më të dashura të artit skenik në vend.

/rtsh.al/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›