Tedi Blushi: Siguria ushqimore alarm kombëtar, të miratohet pr.ligji i propozuar nga Partia e Lirisë

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, deklaroi se siguria ushqimore në Shqipëri ka arritur nivele alarmante, duke fajësuar drejtpërdrejt qeverinë për situatën e krijuar gjatë 13 viteve në pushtet.
Blushi theksoi se, pasojat e kësaj situate janë reflektuar edhe në rritjen e sëmundjeve të rënda, përfshirë ato tumorale, si rezultat i kontaminimit të produkteve ushqimore.
Sipas Sekretarit të Partisë së Lirisë, dëmet e qeverisë nuk ndalen vetëm te shëndeti publik, por shtrihen edhe te bujqësia dhe ekonomia rurale.
“Shqipëria është kthyer në koshin e mbeturinave të botës, ku futen produkte që Europa i refuzon, pa standarde dhe pa kontroll shtetëror”, deklaroi Blushi.
Ai theksoi se mungesa e kontrollit shtetëror dhe abuzimi me kimikatet kanë sjellë mbylljen e tregjeve të huaja për produktet shqiptare, duke penalizuar fermerët e ndershëm që prodhojnë sipas standardeve.
Blushi përmendi gjithashtu humbjen e fondeve IPARD për të tretin vit radhazi, në vlerën e 112 milionë eurove, si pasojë e abuzimeve dhe mungesës së hetimeve serioze nga drejtësia shqiptare.
Si zgjidhje të vetme, Partia e Lirisë propozon projektligjin për sigurinë ushqimore, i cili është depozituar prej më shumë se një muaji në Kuvend. Sipas Blushit, miratimi i menjëhershëm i këtij projektligji është domosdoshmëri për mbrojtjen e shëndetit publik.
“Përballë kësaj situate dramatike, zgjidhja e vetme reale është projektligji për sigurinë ushqimore i propozuar nga Partia e Lirisë, i depozituar prej më shumë se një muaji në Kuvend.
Ne besojmë se siguria ushqimore nuk është luks, por e drejtë themelore e çdo qytetari dhe një detyrim kushtetues i shtetit shqiptar.
Miratimi pa vonesë i këtij projektligji, me nisjen e sesionit parlamentar, është e vetmja zgjidhje e shpejtë dhe efektive për të ndalur këtë krim të përditshëm ndaj shëndetit publik. Çdo ditë vonesë është një ditë më shumë rrezik, veçanërisht për fëmijët, të cilët po ushqehen me produkte të kontaminuara”, përfundoi Blushi.
/rtsh.al/