E Diel, 1 Nëntor 2026

Integrimi në BE, Rama: Ngarkesë si asnjëherë më parë në Kuvend, seanca të posaçme parlamentare për negociatat

Kryeministri Edi Rama, në fjalën e tij përmbyllëse gjatë takimit të Grupit Parlamentar Socialist për hapjen e vitit të ri kuvendor, paralajmëroi se për shkak të procesit të negociatave, deputetët do të përballen me një ngarkesë më të madhe pune dhe seanca parlamentare.

“Ky ishte një takim i nevojshëm dhe një shkëmbim i domosdoshëm informacioni dhe opinionesh. Do ta bëjmë këtë takim të përmuajshëm, me një përmbajtje që do t’u përgjigjet, nga njëra anë, kërkesave të përditshme të negociatave dhe, nga ana tjetër, aktualitetit të jetës parlamentare dhe jetës politike,” tha Rama.

Kryeministri shtoi se kjo situatë mund të kërkojë rritjen e orëve të punës dhe të seancave parlamentare, përfshirë edhe mundësinë e organizimit të seancave të posaçme vetëm për procesin e negociatave. Rama theksoi se këto seanca nuk kërkojnë orë të gjata, por fokus dhe prezencë të lartë.

“Një gjë është e qartë: ky vit dhe viti 2027 do të kenë një ngarkesë si asnjëherë më parë në historinë e Kuvendit. Numri i ligjeve që duhet të kalojnë në filtër dhe më pas në seancën e vendimmarrjes së Kuvendit do të jetë më i larti ndonjëherë, për shkak të procesit të negociatave.

Kjo shton nevojën për të rritur orët e punës dhe për të konsideruar mundësinë e rritjes së numrit të seancave të Parlamentit. Madje, mund të konsiderohet përfshirja e seancave të posaçme vetëm për procesin e negociatave, seanca që, për natyrën dhe përmbajtjen e tyre, nuk janë seanca që kërkojnë gjatësi orësh, por përqendrim dhe numër prezence,” nënvizoi Rama.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›