E Diel, 1 Nëntor 2026

Reforma territoriale, Mazniku: Do ketë dy dokumente, atë të parimeve e sfidave si dhe atë politik. Afati deri në korrik 2026

Bashkëkryetari i Komisionit të posaçëm për reformën administrativo-territoriale, Arbjan Mazniku, deklaroi se procesi i reformës do të zhvillohet përmes dy raundeve të gjera diskutimesh dhe konsultimesh, që do të shtrihen nga muaji shkurt, ndërsa afati përfundimtar do të jetë korriku 2026.

Gjatë mbledhjes së Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Mazniku tha se raundi i parë do të fokusohet te “dokumenti i gjelbër”, i cili do të evidentojë sfidat, problemet dhe parimet bazë mbi të cilat do të ndërtohet reforma. Ky dokument, pasi të hartohet nga komisioni, do t’i nënshtrohet një konsultimi të gjerë publik në të gjitha qarqet dhe bashkitë e vendit.

“Mes shkurtit dhe qershorit, do të kemi kaluar dy raunde diskutimesh. Raundi i parë i diskutimeve lidhet me atë që është “dokumenti i gjelbër”, i cili është një dokument ku do të ngrihen sfidat, problemet dhe parimet mbi të cilat do të ndërtohet reforma.

Ky dokument, pasi të jetë hartuar nga komisioni, do të ketë një konsultim të gjerë në të gjitha qarqet dhe bashkitë e vendit. Pas këtij dokumenti do të kemi një dokument të dytë që quhet “dokumenti i bardhë”, i cili është një dokument politik dhe përcakton kolonat mbi të cilat do të ngrihet reforma, mbi të cilat më pas do të ndërtohen edhe aktet ligjore”, tha Mazniku.

Më pas, do të hartohet “dokumenti i bardhë”, një dokument politik që përcakton kolonat kryesore të reformës dhe që do të shërbejë si bazë për ndërtimin e akteve ligjore përkatëse. Edhe ky dokument do të kalojë në një raund të dytë konsultimesh publike.

Mazniku bëri të ditur se që në muajin shkurt do të nisë puna me qëllim zhvillimin e një diskutimi të mirëfilltë me komunitetin, këshillat bashkiakë dhe kryetarët e bashkive.

“Do të ketë një raund të dytë konsultimesh bazuar mbi dokumentin e bardhë. Kjo është pak a shumë piketa e reformës nga tani deri në muajin korrik. Që në muajin shkurt do të nisim raundin e parë të konsultimeve në terren dhe do të doja që të gjithë deputetët të marrin pjesë në zonat respektive, që të kemi një diskutim të mirëfilltë me komunitetin, këshillat bashkiakë dhe kryetarët, për të dhënë një zgjidhje sa më të mirë sfidave që kemi. Kemi shumë punë përpara për të kapur afatin për korrik 2026”, tha Mazniku.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›