Teknologji për rritjen e përfshirjes së nxënësve nga komunitetet rome dhe egjiptiane në klasë

TIRANË, 26 qershor /ATSH/ Brikena është një nga nxënëset që po përfiton drejtpërdrejt nga një klasë më e mirë, më moderne dhe më gjithëpërfshirëse.
Falë projektit “Inclusive Edu Jobs”, të financuar nga Bashkimi Evropian, shkolla e saj tani ka laptopë, smartboard dhe mjete digjitale që e bëjnë mësimin më të lehtë dhe më interesant.
Ajo shprehet se kjo mënyrë e të mësuarit edhe me pamje të ndihmon në të kuptuarin e mësimeve.
“Unë në 8-vjeçare mezi i konceptoja gjërat dhe në momentin që fillova më shumë të shqiptoja në smartwork dhe të dëgjoja më shpesh, më përpara nëse do të isha një nxënëse e 8-ës në histori, tani jam bërë një nxënëse e 10-s. Më pëlqen shumë që kam evoluar, jam zhvilluar më shumë”, shprehet Brikena.
Ajo thekson se tashmë fëmijët e komuniteteve rome dhe egjiptiane kanë më shumë interes për shkollën falë mënyrës së të mësuarit me teknologji.
Ky projekt është ndërtuar për të mbështetur të gjithë fëmijët që, për arsye të ndryshme sociale ose ekonomike, mund të kenë më shumë vështirësi në ndjekjen e mësimit.
I zbatuar nga nga Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë, Bashkia Tiranë dhe Social Action and Innovation Centre, projekti synon veçanërisht përfshirjen e nxënësve nga komunitetet rome dhe egjiptiane, duke u ofruar mjete digjitale dhe mbështetje të vazhdueshme për të qenë të barabartë në klasë dhe në të ardhmen.
/gj.m//a.f//r.e/