E Martë, 3 Nëntor 2026

“Plazh i lirë”, hiqen 24 çadra dhe shezlongë në Radhimë

Tiranë, 26 qershor /ATSH/ Në kuadër të plan-operacionit “Plazhi i lirë”, Policia e Vlorës ka vijuar kontrollet përgjatë gjithë vijës bregdetare, me qëllim lirimin e hapësirave publike që zihen pa lejen përkatëse nga subjektet në bregdet, duke vënë çadra dhe shezlongë.

Siç njofton Policia, sot “gjatë kontrolleve nga shërbimet e DVP Vlorë dhe shërbimet e komisariateve në varësi të saj, në bashkëpunim me Policinë Bashkiake dhe me Agjencinë Kombëtare të Bregdetit u lirua një hapësirë në Radhimë, e zënë me 24 çadra dhe shezlongë, të vendosura pa lejen përkatëse”.

Policia njofton se për këtë rast u procedua penalisht, për veprën penale “Pushtimi i tokës”, shtetasi O. R., 39 vjeç. Gjithashtu, u sekuestruan çadrat dhe shezlongët.

Policia e Vlorës apelon për pronarët/administratorët e lokaleve që ushtrojnë aktivitet buzë vijës bregdetare, që të mos zënë hapësira publike në plazhe, pasi do të përballen me sanksionet penale dhe administrative që parashikon ligji.

/e.i//a.f/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›