E Diel, 1 Nëntor 2026

“Temë me të cilën nuk po ndahemi dot…”/ Ja çfarë thotë Rama për procesin e legalizimeve

Gjatë Asamblesë së PS në Njësinë nr.14 në Tiranë, kryeministri Edi Rama ka folur ditën e sotme lidhur me procesin e legalizimeve në të gjithë Shqipërinë.

Rama tha se një pjesë e legalizimeve janë të pamundura me ligjin aktual, teksa shtoi se puna me legalizimet vijon dhe nuk ka ngecur.

Po ashtu kryeministri shtoi se qeveria po punon për dixhitalizimin e të gjitha hartave kadastrale, proces që sipas Ramës, deri më tani ka çuar në skanimin e 54 milionë fletëve.

–  Përshëndetje të gjithëve. Jam nga Mirdita, jam anëtar i Partisë Socialiste që në krijimin e saj. Ne kemi probleme si zonë me thënë të drejtën që janë legalizimet. Pra fillon një bllok , duhet të mbarojë ai. Është një problem që do zgjidhje. Të uroj shëndet për të mirën e të gjithëve njëherë dhe do fitojmë, do angazhohemi më shumë. Unë do jem pensionist në zgjedhjet e ardhshme, do kem kohë më shumë, po kuptohet në kushtet e mundësitë që ka një pensionist. Faleminderit!

 

Edi Rama: Faleminderit për këtë temën e legalizimeve sepse është një temë shumë e rëndësishme me të cilën nuk po ndahemi dot. Tani kemi pasur edhe një diskutim të gjatë në mbledhjen e zgjeruar të qeverisë me grupin parlamentar. Është një praktikë e re çdo fund muaji për të folur me deputetët, ministrat edhe për të marrë shqetësimet, por edhe për të për t’u fokusuar në tema me rëndësi për të gjithë, edhe legalizimet dhe kadastra ishin në fokus të mbledhjes së kësaj radhe.

Natyrisht që mediat kombëtare kanë gjëra më të rëndësishme për të informuar, çfarë i thashë unë njërit dhe çfarë i thashë unë tjetrës, në një mbledhje nga ora 11 deri në orën 6 pasdite ku ne folëm gjerë e gjatë për pronat, për shërbimet në kadastër, për legalizimet, për reformat administrative territoriale, për skenarët se si duhet të rishikojmë hartën e shërbimeve në territor. Në çdo rast, hap atë pasqyrën e celularit, shko shih portal më portal, kanal më kanal, po gjete gjë për legalizimet, po gjete gjë për infrastrukturën,  po gjete gjë për arsimin, po gjete gjë për shëndetësinë, po gjete gjë për çfarë po bën qeveria për çështjen e naftës, po gjete gjë për çfarë ka ndodhur, çfarë po ndodh, çfarë do ndodhë me pagat, po e gjete kund që ne tani do të paguajmë të gjitha sigurimet shoqërore të nënave dhe të personave kujdestarë të fëmijëve me aftësi të veçanta – atëherë ky do ishte një lajm shumë i madh për mua, ju lutem ndaheni dhe me mua. Më çoni mesazh thoni ja ku e ke, e   pashë dhe e lexova një gjë që më intereson.

Gjithsesi kemi diskutuar për legalizimet sepse shqetësimi, domethënë që legalizimet janë një proces i vështirë, kjo nuk diskutohet sepse janë bërë shumë legalizime, janë bërë afro 300 mijë, domethënë janë shumë. Por ka akoma edhe një numër rreth 70 mijë që duhen bërë. Ndërkohë që një pjesë e tyre janë problem sepse janë nëpër, domethënë janë të pamundura nga ligji aktual, kjo është e vërteta. Jo është mbi kolektor, jo është mbi rrugë, por gjithsesi një pjesë tjetër duhen bërë se mund të bëhen.

Tani kjo e bllokut, fillo bllokun, mbaro bllokun ka një rrezik, sepse blloku është blloku për mua që jetoj në këtë bllok, por nuk është bllok për shërbimin e kadastrës që ka gjithë territori, ndërkohë që më e drejta është koha e regjistrimit. Pra, ajo që mua më shqetëson është pse dikush që e pret legalizimin që në 2010-ën duhet të presë akoma, ndërkohë që dikush tjetër që e ka bërë kërkesën në 2018-ën duhet ta marri përpara. Nuk mund ta fillosh ta mbarosh bllokun se pastaj i bie që ai tjetri te blloku tjetër që po pret që në 2010-ën do vazhdojë të presë, ndërkohë që këtu te ky blloku, meqë ra radha te ky blloku, ky tjetri 2018-ës do marri përpara. Por ama, kur kjo ndodh brenda të njëjtit bllok, që unë kam 10 vjet që pres dhe komshiu im ka 5 vjet që pret dhe komshiu e merr unë s’e marr, atëherë ka një problem. Kështu që, ajo që kemi kërkuar është dhe që do bëhet, do bëhet një sistem tani me kritere të qarta, me vite dhe njerëzve do t’i thuhet që prit se jemi akoma tek viti X, por ama nuk do jetë e mundur që të bëhet kapërcim në sistem që kape njërin se më pëlqen mua t’ja bëj edhe e çoj këtu.

Kjo do krijojë një çik më shumë qartësi për njerëzit dhe bashkitë kanë rolin e tyre.

Ne do përpiqemi që të krijojmë dhe më shumë kapacitet, duke përdorur edhe njësitë bashkiake, duke përdorur edhe koordinatorët, kryepleqtë për të pasur më shumë ritëm procesi.

Gjithsesi puna vazhdon, legalizime bëhen përditë, që të jemi të qartë, nuk është se është diçka që ka ngecur. Pastaj pjesa tjetër ka të bëjë me faktin që ne jemi duke dixhitalizuar të gjithë hartat, se problemi i madh i kadastrës është që e ka informacionin të bazuar nëpër harta, hap harta, mbyll harta dhe sa për ta pasur një ide, deri tani janë skanuar 54 milionë fletë ato tabakët. Po 54 milionë fletë që të skanohen, secila nga ato fletët ka katër, gjashtë ose tetë veprime, kështu që llogariteni vetë se sa punë e madhe është bërë dhe është fatmirësisht drejt përfundimit. Do kemi më në fund brenda 2027-s, çdo gjë do e kemi të dixhitalizuar edhe do jetë më e thjeshtë për të pasur pastaj ndërveprim me njerëzit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›