Ten Hag sërish i ashpër me CR7: Koha e tij ka mbaruar shtatë apo tetë vite më parë

Erik ten Hag ka vazhduar kritikat ndaj Cristiano Ronaldos, duke pretenduar se ylli portugez nuk ka qenë në gjendje të japë maksimumin në fushën e lojës gjatë shtatë apo tetë viteve të fundit të karrierës së tij.
Ish-trajneri i Manchester Unitedit, i cili pati një marrëdhënie shumë të tensionuar me Ronaldon gjatë kohës së tyre të përbashkët në Old Trafford, ka folur sërish për problemet që kishte me pesë herë fituesin e “Topit të Artë”.
Në një intervistë në emisionin holandez “Goedemorgen Eredivisie”, Ten Hag shpjegoi se problemi kryesor ishte mungesa e gatishmërisë së Ronaldos për të punuar në shërbim të ekipit.
“Çdo skuadër e madhe duhet ta përqafojë lojtarin më të mirë, por edhe lojtari më i mirë duhet të punojë për ekipin. Ky ishte problemi me Ronaldon. Lojtarët dëshironin të punonin për të, sepse natyrshëm e shikonin si një idhull”.
“Por, gjatë shtatë apo tetë viteve të fundit, ai thjesht nuk ka qenë në gjendje të japë atë që pritej prej tij. Që nga Juventusi, gjithçka ka përfunduar”, deklaroi Ten Hag.
Ronaldo u largua nga Juventusi në vitin 2021, për t'u rikthyer te Manchester Unitedi, në kohën kur skuadra drejtohej nga Ole Gunnar Solskjaer. Në Itali, portugezi kishte regjistruar 101 gola në 134 paraqitje, ndërsa vetëm disa javë para transferimit ishte shpallur golashënuesi më i mirë i përbashkët në Kampionatin Evropian.
Megjithatë, Ten Hag, i cili më vonë pasoi Solskjaerin në stolin e Unitedit, beson se rënia e Ronaldos kishte nisur shumë më herët, pas largimit nga Real Madridi në vitin 2018.
“Real Madridi ka një dhunti të madhe: ata e dinë se kur duhet të ndahen nga lojtarët, niveli i të cilëve po bie, dhe e bëjnë këtë në momentin e duhur”, u shpreh holandezi, i cili aktualisht është drejtor teknik i Twentes.
Ten Hag zbuloi gjithashtu se kishte zhvilluar një bisedë personale me Ronaldon para fillimit të sezonit, ku ia kishte shpjeguar mënyrën se si dëshironte të luante Manchester Unitedi dhe pritshmëritë që kishte ndaj tij.
“Ai kishte një status të veçantë. Shkova ta takoja para fillimit të sezonit. I shpjegova se si dëshironim të luanim, çfarë prisja prej tij dhe çfarë mund të priste ai nga unë. Por, në fund të fundit, edhe ti duhet të japësh rezultate”.
Ish-trajneri i Unitedit pretendoi se Ronaldo nuk ishte më i gatshëm t'i nënshtrohej përgatitjeve të vështira fizike dhe të jepte maksimumin në stërvitje.
“Ai nuk mund ta detyronte më veten të torturohej, të jepte gjithçka çdo ditë, të shkonte deri në limit gjatë stërvitjeve dhe të arrinte formën e duhur fizike. Nëse nuk je në formë në Ligën Premier, nuk ke asnjë shans”.
Kujtojmë se marrëdhënia mes dyshes u përkeqësua ndjeshëm gjatë sezonit 2022/23, ndërsa intervista e famshme e Ronaldos me Piers Morgan, ku sulmoi klubin dhe trajnerin, çoi në ndërprerjen e kontratës së tij me Manchester Unitedin në nëntor të vitit 2022./Telegrafi/