Tensione para Kuvendit, gazetarja sjell detaje: Protestuesit hodhën miell, shishe dhe vezë ndaj Policisë. 3 efektivë të plagosur, 8 të shoqëruar

Gazetarja e RTSH-së, Flutura Tota, ka raportuar nga protesta e zhvilluar para Kuvendit, ku janë shënuar përplasje mes protestuesve dhe forcave të Policisë.
Sipas raportimit të gazetares, Policia kishte vendosur gardhe rrethuese në dy hyrjet kryesore të Parlamentit për të penguar hyrjen e protestuesve në godinë. Përplasja e parë ndodhi pranë hyrjes nga Akademia e Shkencave, ku efektivët përdorën sprej lotsjellës për të shpërndarë turmën. Si pasojë, disa protestues u ndjenë keq dhe në vendngjarje ndërhyri shërbimi mjekësor për t’u dhënë ndihmën e parë.
Gjatë incidenteve mbetën të lënduar edhe disa efektivë policie, të cilët dyshohet se janë transportuar për të marrë mjekim. Sipas raportimit, disa prej tyre u goditën me gurë, shishe dhe vezë.
Përplasje pati edhe te hyrja kryesore e Kuvendit, ku protestuesit hoqën gardhin metalik të vendosur nga Policia, duke detyruar efektivët të krijonin një kordon sigurie për të mbrojtur hyrjen e institucionit.
Një tjetër moment tensioni u regjistrua edhe me kreun e Nismës “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj. Një grup protestuesish kërkuan largimin e tij, ndërsa Lapaj u zhvendos disa metra më tej, por vijoi të qëndrojë në protestë.
Gjatë gjithë tubimit kanë vijuar thirrjet dhe sloganet kundër qeverisë. Protestuesit kanë drejtuar kritika ndaj deputetëve të mazhorancës, por edhe ndaj opozitës, duke deklaruar se nuk ndihen të përfaqësuar prej tyre. Kërkesa kryesore e protestuesve ka qenë dorëheqja e kryeministrit, e qeverisë dhe e ministrave
Si pasojë e përplasjeve, 3 efektivë policie kanë mbetur të plagosur dhe janë dërguar për trajtim në spital. Ndërkohë, Policia ka shoqëruar 8 shtetas për veprime të mëtejshme procedurale.
/rtsh.al/