E Hënë, 2 Nëntor 2026

Tensionet SHBA-Iran, Trump bën thirrje për marrjen e institucioneve, Moska: Kërcënimet tuaja, shantazh i hapur

Situata politike rreth Iranit është tensionuar ndjeshëm në orët e fundit, pas deklaratave të forta të Donald Trump dhe kundërpërgjigjes së menjëhershme që ka ardhur nga Rusia.

Përmes një mesazhi në platformën e tij “Truth”, Trump i është drejtuar drejtpërdrejt popullit iranian dhe protestuesve, duke i inkurajuar ata të marrin në dorë fatet e vendit. Ai njoftoi prerazi ndërprerjen e çdo kanali diplomatik me regjimin aktual.

“Kam anuluar të gjitha takimet me zyrtarët e Teheranit,” deklaroi Trump, duke shtuar një mesazh shprese dhe mobilizimi për qytetarët: “Vazhdoni, ndihma është duke ardhur.”

Në thirrjen e tij, Trump shkoi edhe më tej, duke kërkuar nga protestuesit të marrin kontrollin e institucioneve dhe të dokumentojnë krimet e regjimit.

“Ruajini emrat e atyre që vrasin dhe abuzojnë, ata do të paguajnë një çmim të lartë,” paralajmëroi ai, duke sinjalizuar pasoja të rënda për shkelësit e të drejtave të njeriut.

Reagon Moska: Kërcënime të papranueshme

Deklaratat nga Uashingtoni kanë sjellë një reagim të ashpër nga Kremlini. Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, i cilësoi qëndrimet e SHBA-së si shantazh ndërkombëtar.

Duke iu referuar paralajmërimeve amerikane për sanksione ndaj vendeve që bashkëpunojnë me Iranin, Zakharova, e cituar nga agjencia TASS, u shpreh:

“Rusia i hedh poshtë kategorikisht përpjekjet e paturpshme për të shantazhuar partnerët e huaj të Iranit duke rritur tarifat tregtare. Rritja e tarifave ndaj partnerëve të Teheranit është shantazh i hapur.”

Gjithashtu, Moska dënoi çdo retorikë luftarake, duke theksuar se “kërcënimet e Uashingtonit për të nisur sulme të reja ushtarake kundër Iranit janë kategorikisht të papranueshme”.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›