Tërhiqet nga tregu shqiptar spatula e kuzhinës, në përbërje u zbulua tejkalim i një substance kimike

Një tjetër produkt i tregtuar në Shqipëri është bërë objekt tërheqjeje nga tregu, pas një alarmi të ngritur nga autoritetet belge për praninë e një substance kimike mbi normat e lejuara.
Bëhet fjalë për spatulën e kuzhinës “Nylon Serving Spatula 33cm”. Sipas Inspektoratit të Mbikëqyrjes së Tregut (ISHMT), analizat laboratorike të kryera në Belgjikë kanë evidentuar migrimin në nivele të tejkaluara të substancës 4,4’-diaminodiphenylmethane (MDA), nga materiali i produktit drejt ushqimit. Rasti është raportuar përmes sistemit europian të alarmit RASFF.
Autoritetet e kanë klasifikuar rastin si risk jo serioz për shëndetin e njeriut. Megjithatë, për shkak të mospërputhjes me standardet e sigurisë, është vendosur tërheqja e produktit nga tregu.
Sipas njoftimit, konsumatorët që kanë blerë këtë spatul me barkod 5413821079684 këshillohen të ndërpresin menjëherë përdorimin e saj në kontakt me ushqimin. Produkti mund të kthehet në dyqanet e kompanisë, ku konsumatorët do të përfitojnë rimbursimin e plotë të shumës së paguar.
Më pak produkte të kontrolluara gjatë vitit 2025
Ky rast rikthen vëmendjen te mbikëqyrja e sigurisë së produkteve që tregtohen në Shqipëri. Të dhënat e ISHMT-së tregojnë se gjatë vitit 2025 u kryen 2.445 inspektime dhe u kontrolluan 5.794 produkte. Nga këto, 74 rezultuan jokonforme, ose rreth 1,27% e totalit.
Një vit më parë, në 2024-n, ishin evidentuar 118 produkte me jokonformitete nga 8.684 produkte të kontrolluara. Ndërkohë, masat urgjente ranë nga 3 në vitin 2024 në vetëm 2 gjatë vitit 2025.

Një tjetër tregues që bie në sy është ulja me rreth 33% e numrit të produkteve të kontrolluara në vitin 2025 krahasuar me një vit më parë.
Duhet theksuar se këto shifra pasqyrojnë produktet ku janë konstatuar shkelje gjatë kontrolleve dhe nuk përfaqësojnë numrin e produkteve të tërhequra nga tregu.
Në BE u regjistruan mbi 4.600 alarme për produkte të rrezikshme
Në nivel europian, sistemi Safety Gate regjistroi 4.671 alarme për produkte joushqimore të rrezikshme gjatë vitit 2025, me një rritje prej 13% krahasuar me vitin pararendës.
Megjithatë, këto të dhëna nuk mund të krahasohen drejtpërdrejt me statistikat e ISHMT-së, pasi përfshijnë të gjithë rrjetin europian të raportimit dhe kanë një shtrirje të ndryshme nga kontrollet e kryera në Shqipëri.
Sa i përket spatulës së kuzhinës, autoritetet shqiptare nuk kanë bërë publike numrin e njësive të hedhura në treg apo sasinë e produkteve të tërhequra. Për rrjedhojë, mbetet e paqartë se sa konsumatorë mund ta kenë blerë produktin në Shqipëri./Monitor