“Territorialja” – Krerët e bashkive të qarkut Berat: Investime të rritura, mungesë kompetencash në disa sektorë

TIRANË, 28 maj /ATSH/ Komisioni Posaçëm Parlamentar për Reformën Administrativo-Territoriale zhvilloi sot një seancë dëgjimore me kryetarët e bashkive të qarkut të Beratit, ku u diskutuan efektet e reformës territoriale të vitit 2014, investimet, shërbimet publike dhe sfidat me kompetencat e pushtetit vendor.
Kryetari i bashkisë Berat, Ervin Ceca theksoi se në qytetin e Beratit ka pasur një sërë investimesh të cilat kanë sjellë nevojën edhe për rekrutim stafi shtesë. Ai nënvizoi se është pro reformës territoriale, teksa shtoi se fokusi duhet të jetë tek funksionet dhe financat.
“Kemi një sërë problematikash, kemi funksione që kemi vështirësi për t’i menaxhuar, pasi kemi nevojë për financime shtesë. Vitet e fundit kemi pasur një sërë invetsimehs në infrastrukturë që vijnë nga grantet, por edhe me fondet e bashkisë”, tha Ceca.
Kryetarja e bashkisë Dimal, Juljana Memaj deklaroi se bashkia ka arritur të tejkalojë sfidat e reformës territoriale dhe të jetë më pranë qytetarëve. Sipas saj, një pjesë e konsiderueshme e buxhetit shkon për investime kapitale dhe të ardhurat e mbledhura në zonë janë rikthyer në investime për komunitetin. Megjithatë, ajo ngriti shqetësime për mungesën e kompetencave të bashkive.
“Nga të ardhurat gati raporti mesatarisht buxheti i bashkisë Dimal shkon për investime kapitale. Mendoja se sfidën e 2014 e kemi tejkaluar me sukses sepse kemi arritur të jemi pranë qytetarit. Jemi përpjekur se çfarë mbledhim nga ajo zonë ta kthejmë në investime. Shërbimet në sektorin ujitje kullim, shërbimet në parashkollor, shërbimi zjarrfikës, edhe strehimi sociale janë përmirësuar ndjeshëm pas reformës së 2014.
“Besoj se ka problematika në funksione dhe kompetencat e bashkive. Problematika në lidhje me kompetencat në bujqësi. Mendoj se bashkitë nuk kanë kompetenca fare në fushën e bujqësisë. Nga ajo që ushtrohet me efikasitet është ujitja dhe kullimi, ndërsa pjesa tjetër nuk është efikase. Edhe pjesa e shëndetësisë ka një konflikt. Bashki të tilla si bashkia Dimal janë efikase në ofrimin e shërbimeve”, tha Memaj.
Nga ana tjetër, kryetari i bashkisë Kuçovë, Kreshnik Hajdari vuri në dukje rritjen e investimeve për frymë gjatë viteve të fundit. Hajdari bëri edhe një bilanc të investimeve në territorin e bashkisë. Sipas tij, shpërndarja e investimeve ka qenë e drejtë mes njësive administrative.
“Në investime që janë bërë në territorin e bashkisë Kuçovë, rrugë ujësjellës kanalizime, shkolla, besoj ka patur një ndarje të drejtë. Në qytet, gjatë këtyre viteve janë bërë 20 investime me një vlerë 405 milionë lekë, këtu nuk janë investimet që kanë të bëjnë në mbrojtje ndaj shtresave sociale, në banesa apo rikonstruksion për familjet në nevojë. Për njësinë Kozare 7 investime me vlerë 212 milionë lekë, për njësinë Perondi 7 investime me vlerën 261 milionë lekë dhe njësinë Lumas janë bërë 4 investime deri në fund të 2025 me një vlerë 570 milionë lekë. Besoj se kjo është një ndarje e drejt në kuadri e investimeve.
“Ka patur rritje të vogël të numrit të administratës për shkak të funksioneve që na janë deleguara. Në raport me buxhetin e bashkisë, sot shpenzimet e pagave zënë afërisisht gjysmën e buxhetit të bashkisë. Numri i punonjësve 410 në total. Besoj se bashkia Kuçovë mund të quhet se është në territorin e saj natyral”, tha Hajdari.
Kryetari i bashkisë Skrapar, Adriatik Mema deklaroi se përqindja e investimeve në buxhetin e bashkisë varion nga 15 deri në 20%, ndërsa rreth 25% e buxhetit përdoret për shërbime. Pjesa tjetër, sipas tij, shkon për paga dhe sigurime shoqërore.
“Nga buxheti i bashkisë vit pas viti përqindja e investimeve varion nga 15-20%. Rreth 25 % për shërbime dhe pjesa tjetër për paga dhe sigurime shoqërore. Jemi përpjekur që edhe në zona më të largëta të bashkisë të ofrojmë shërbimet e duhura kryesisht në infrastrukturën rrugore”, tha ai.
Ndërkohë, kryetari i bashkisë Poliçan, Adriatik Zotkaj u shpreh se 75% e investimeve të bashkisë Poliçan janë përqendruar në fshatra, kryesisht në asfaltimin e rrugëve.
Ai vlerësoi rritjen e pagave për pushtetin vendor, si një nga përfitimet kryesore të reformës, ndërsa shtoi se kryetarëve të bashkive u janë kufizuar kompetencat.
“Bashkia Poliçan investon më shumë nëpër fshatra, 75% nga buxheti i vet i ka nëpër fshatra. Ka bërë asfaltim në shumë fshatra. Në transferimin që na u bënë ne si komuna, ne sot i kemi zero detyrimet karshi të tretëve si bashki. Ne sot ofrojmë të gjitha shërbimet si bashki. një nga të mirat që ju bë pushtetit vendor është se ju rritën pagat. Kompetencat, ne na janë hequr të gjitha kompetencat si kryetar bashkie, ju na hoqët kufizimin e mandateve”, tha Zotkaj.
/m.q/a.f/r.e/