Territorialja, Lezha kërkon ruajtjen e kufijve ekspertët propozojnë zgjerimin e Bashkisë së Mirditës

Teksa harta territoriale në Shqipëri pritet të ndryshojë dhe komisioni përkatës ka nisur punën, ekspertët në Qarkun e Lezhës kërkojnë jo vetëm ruajtjen e kufijve aktualë, por edhe zgjerimin e Bashkisë së Mirditës, duke përfshirë në të Ulzën.
“Mendoj se kufijtë territorial të bashkisë Lezhë sot nuk mund të cenohen përveç faktit që mund të zgjerohet Kurbini në kufijtë e Thumanës apo Mirdita në kufijtë e rrjedhës së lumit të Shkopetit”, u shpreh Gjok Jaku, Ekspert i pushtetit vendor.
“Kanë munguar dëgjesat publike por sidomos ato me specialist të mirëfilltë. Mirëdita ka një padrejtësi e cila nis që në vitin 1944 dhe duhet të shkoj në kufijtë e saj që ka pasur”, tha Gjergj Marku, Kulturolog.
Me reformën territoriale të vitit 2014, Qarku i Lezhës u nda në tre bashki: Lezhë, Kurbin dhe Mirditë. i përfshirë si koordinator për zonën e veriut në atë kohë, në lidhje me ndarjen e re eksperti Jaku sheh të rëndësishme bashkëpunimin e të gjitha palëve politike.
“Pjesëmarrja e opozitës është kusht mjaft i rëndësishëm që kjo të ndodh dhe të zhvillohet, po kaq e rëndësishme është përfshirja e grupeve të interesit dhe sidomos konsultimi qytetar në cdo rajon”, tha Jaku.
Reforma e re territoriale pritet të jetë gati në korrik të vitit 2026, një vit para mbajtjes së zgjedhjeve vendore.
/rtsh.al/