Tetë policë të arrestuar në Durrës, nuk respektuan procedurat standarde të shoqërimit të Ndocit

TIRANË, 14 janar /ATSh/ Tetë punonjës të Policisë së Burgjeve në Durrës janë arrestuar pas arratisjes së të paraburgosurit Altin Ndoci, një ditë më parë nga Spitali Rajonal në Durrës.
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve njoftoi se në bashkëpunim me Shërbimin e Kontrollit të Brendshëm në Sistemin e Burgjeve, nën drejtimin Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, është vendosur ndalimi i shtetasve të mëposhtëm: komisar Dezdemon Pazaj, punonjës i Policisë së Burgjeve; Komisar Violeta Uka, punonjëse e Policisë së Burgjeve; kryeinspektor Dorjan Saraçi, punonjës i Policisë së Burgjeve; inspektor Sali Ferrollari, punonjës i Policisë së Burgjeve; inspektor Fatjon Braçi, punonjës i Policisë së Burgjeve; inspektor Preng Marvataj, punonjës i Policisë së Burgjeve; Kryeinspektor Aranit Çela, punonjës i Policisë së Burgjeve; kryeinfermier Aulon Quku, punonjës i IEVP Durrës.
Gjithashtu, është bërë edhe pezullimi i tyre nga detyra. Po ashtu janë pezulluar me qëllim garantimin e një procesi të rregullt ligjor dhe administrativ drejtori i IEVP-së Durrës Indrit Cerloj, Afrim Zeqiraj, shef i Policisë; Ylfete Sema, shefe e Shërbimit të Kujdesit Shëndetësor; Idajet Calamaj, punonjës i Policisë së Burgjeve.
Sipas Drejtorisë së Burgjeve rezulton se nuk janë respektuar procedurat standarde për shoqërimin e të paraburgosurve dhe të dënuarve.
Shtetasi Altin Ndoci ka qenë i akomoduar në IEVP Durrës që prej datës 20.05.2020, me masë sigurimi “arrest me burg”, pasi ndaj tij Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ka caktuar masa e sigurimit “arrest me burg” për veprat penale: vrasje në rrethana cilësuese kundër dy ose më shumë personave, armëmbajtje pa leje, organizatë kriminale, kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal.
“Më datë 13.01.2026, i paraburgosuri ka kryer konsultë mjekësore me mjekun e institucionit të vuajtjes së dënimit, i cili ka rekomanduar konsultë me mjek kirurg. Në vijim, nga strukturat përkatëse të IEVP Durrës (shërbimi shëndetësor, policia e burgjeve, sektori social dhe ai ligjor) janë hartuar aktet përkatëse dhe është planifikuar shoqërimi për vizitë mjekësore në Spitalin Rajonal Durrës, sipas itinerarit: IEVP Durrës – Spital Rajonal Durrës – kthim në IEVP, brenda së njëjtës ditë”, njoftoi Drejtoria e Burgjeve.
Drejtoria e Burgjeve informoi më tej se “i paraburgosuri është paraqitur në pavijonin infektiv për marrjen e trajtimit mjekësor. Pas vizitës mjekësore nga mjeku kardiolog në Spitalin Rajonal Durrës, është rekomanduar mjekim dhe rikontroll pas dy orësh. Gjatë kohës që ka qenë duke marrë trajtim mjekësor, shtetasi Altin Ndoci ka kërkuar të shkojë në tualet. Ai është shoqëruar nga punonjësit e Policisë së Burgjeve, por gjatë këtij momenti ka kundërshtuar dhe goditur punonjësit, duke arritur të arratiset”.
“Nga verifikimet paraprake rezulton se, për shoqërimin e planifikuar, IEVP Durrës nuk ka informuar Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve dhe Komisariatin e Policisë Durrës, si dhe nuk ka raportuar në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve as planifikimin dhe as realizimin e vizitës mjekësore, në kundërshtim me aktet nënligjore në fuqi. Gjithashtu, rezulton se nuk janë respektuar procedurat standarde për shoqërimin e të paraburgosurve dhe të dënuarve”, njoftoi drejtoria e Burgjeve.
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve nënvizoi se po vijon me marrjen e të gjitha masave të nevojshme ligjore dhe administrative, si dhe me forcimin e protokolleve të sigurisë në institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale.
/m.q/j.p/r.e/