E Hënë, 2 Nëntor 2026

Tetori Rozë, Rama thirrje grave e vajzave: Bëni mamografinë falas. Begaj: Diagnostikimi i hershëm shpëton jetë

Kryeministri Edi Rama ka bërë thirrje për një muaj të ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit, duke nxitur të gjitha gratë dhe vajzat që të përfitojnë nga mundësitë e ofruara për të bërë mamografinë falas në poliklinikat dhe spitalet rajonale të vendit.

Në një postim të tij në rrjetet sociale, Kryeministri theksoi se Tetori Rozë është një mundësi për të rritur vëmendjen dhe mbështetjen për sensibilizimin, zbulimin e hershëm dhe trajtimin e kësaj sëmundjeje.

“MIRËMËNGJES dhe me thirrjen e përvitshme në çdo TetorRozë për të gjitha gratë dhe vajzat që të marrin fare pak kohë për t’u kujdesur për veten, duke bërë mamografinë falas në rrjetin e poliklinikave dhe spitaleve rajonale në vend, ju uroj një muaj të mbarë“, shkroi Rama.

Edhe presidenti Bajram Begaj në kuadër të Tetorit Rozë, inkurajoi gratë dhe vajzat të cilat përballen me këtë sëmundje, ndërsa shtoi se parandalimi dhe diagnostikimi i hershëm shpëtojnë jetë.

“Çdo histori është unike, çdo rrugëtim ka rëndësi. Në Muajin e Ndërgjegjësimit të Kancerit të Gjirit, inkurajojmë gratë dhe vajzat që me guxim të jashtëzakonshëm përballen me këtë sëmundje. Parandalimi dhe diagnostikimi i hershëm shpëtojnë jetë”, shkroi Begaj.

Ministria e Shëndetësisë ka bërë gjithashtu një thirrje ndaj vajzave e grave që të kryejnë mamografinë dhe ekografinë e gjirit pasi paralandalimi dhe zbulimi i hershëm i sëmundje, shpëtojnë jetë.

“Mjekët nuk janë aty vetëm për të kuruar, ata janë aty për të parandaluar sepse zbulimi i hershëm shpëton jetë.

Bëj mamografinë dhe ekografinë e gjirit, për veten, për ata që të duan, për ata që të presin çdo ditë në shtëpi”, thuhet në postim.

Tetori Rozë është muaji ndërkombëtar i ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit, i cili shënohet çdo vit me qëllim sensibilizimin e publikut për rëndësinë e parandalimit dhe zbulimit të hershëm të kësaj sëmundjeje. Gjatë këtij muaji, institucione shëndetësore, organizata joqeveritare dhe struktura shtetërore në mbarë botën ndërmarrin fushata informuese dhe ofrojnë shërbime falas për kontrollin dhe diagnostikimin e hershëm të kancerit të gjirit.

/rtsh.al/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›