Teuta fiton me përmbysje ndaj Bylisit

TIRANË, 14 shkurt /ATSh/ Në stadiumin “Niko Dovana” të Durrësit, Teuta u përball sot me Bylisin me objektivin e qartë për t’u rikthyer te fitorja dhe për të përmirësuar pozitat në renditje.
Ndeshja përfundoi me fitoren e bregdetarëve 2-1, me përmbysje.
Ishin ballshiotët ata që në minutën e tretë të takimit, pas një krosi nga një goditje dënimi në krahun e majtë të sulmit, shënuan me kapitenin Marku, që devijoi me rrëshqitje topin drejt rrjetës.
Dy minuta më vonë, Teuta barazoi me Wotlai-n, i cili goditi me kokë topin e ardhur nga një goditje këndi.
Kapiteni i Teutës, Blerim Kotobelli realizoi një supergol në minutën e 56-të. Ai mori përsipër goditjen e dënimit, të dhënë në kufijtë e 16-metërshit, duke e dërguar topin në rrjetë. Kotobelli shpërtheu menjëherë në lot, teksa ia dedikoi golin të atit, të ndarë nga jeta katër ditë më parë.
Me këtë fitore Teuta barazohet me pikë me Partizanin (30), por që ka një ndeshje më pak. Bylisi mbetet me 20 pikë, në vendin e parafundit.
Po sot u luajt edhe takimi Vora-Egnatia, që u mbyll në barazimin 1-1.
Ndërkohë, tri ndeshjet e tjera të Superiores luhen nesër. Në orën 16:30 janë planifikuar dy takime. Në “Elbasan Arena”, Dinamo City përballet me Flamurtarin. Po në të njëjtën orë, në stadiumin “Air Albania”, vëmendja kryesore do të jetë te derbi i kryeqytetit mes Partizanit dhe Tiranës.
Java e 24-t mbyllet me ndeshjen Vllaznia-AF Elbasani në stadiumin “Loro Boriçi”, në orën 19:30, një përballje direkte mes dy skuadrave që kryesojnë renditjen e Superligës.