Lamallari: Enea Mekolli mbrojti qytetarët me guxim deri në frymën e fundit

TIRANË, 5 qershor /ATSH/ Sot u përcoll për në banesën e fundit Dëshmori i Atdheut, Enea Mekolli, efektivi i Policisë së Shtetit që mëngjesin e së enjtes ra në krye të detyrës gjatë një operacioni për kapjen e një personi të shumëkërkuar.
Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, në një postim në rrjetet sociale, tha se emri i Enea Mekollit do të mbetet i gdhendur në kujtesën e Policisë së Shtetit dhe në historinë e atyre që zgjodhën t’i shërbejnë Shqipërisë me uniformë.
“E veshi uniformën me dinjitet dhe e nderoi atë me sakrificën më të lartë. Mbrojti rendin dhe sigurinë e qytetarëve me ndershmëri, guxim dhe përkushtim deri në frymën e fundit. Emri i tij do të mbetet i gdhendur në kujtesën e Policisë së Shtetit dhe në historinë e atyre që zgjodhën t’i shërbejnë Shqipërisë me uniformë. Nderim i përjetshëm për Dëshmorin e Atdheut, Enea Mekolli”, shkruan Lamallari.
/a.f/r.e/