E Diel, 1 Nëntor 2026

“Tirana Fountain Tower”, ndërtesë shumëfunksionale dhe transformim i hapësirës publike në Parkun Rinia


TIRANË, 1 tetor/ATSH-Maela Marini/ Studioja daneze Bjarke Ingels Group (BIG) është shpallur fituese e konkursit ndërkombëtar për projektin “Tirana Fountain Tower”, që parashikon një ndërtesë shumëfunksionale dhe transformimin e hapësirës publike në parkun “Rinia” në kryeqytet.

Kryeministri Edi Rama ndau sot videon prezantuese të këtij projekti i cili rrit edhe sasinë e gjelbërimit e të ujit në parkun “Rinia”.

“Ja projekti fitues i Konkursit Ndërkombëtar, për godinën që do të zëvendësojë ‘Taiwanin’ e Parkut Rinia, duke rritur edhe sasinë e gjelbërimit e të ujit në park dhe duke i shtuar një tjetër shembëlltyrë arkitektonike të nivelit më të lartë europian, kryeqytetit të Europës së Ballkanit”, u shpreh Rama.

Gjatë prezantimit të projektit, përfaqësuesit e studios shpjeguan se koncepti i tyre mbështetet në idenë e një reje, duke propozuar një tipologji tredimensionale që liron dhe zgjeron hapësirën publike, në vend që ta zërë apo ta reduktojë atë.

Sipas tyre, ndërtesa do të ngrihet rreth 20 metra mbi tokë, duke krijuar më shumë se 1 mijë metra katrorë hapësirë publike të mbrojtur, me hije dhe mundësi për aktivitete të ndryshme.

Arkitektët theksuan se projekti synon të përmirësojë parkun “Rinia”, duke shtuar sipërfaqet e gjelbra, duke krijuar kushte për biodiversitetin dhe duke integruar sisteme për menaxhimin dhe ruajtjen e ujit.

“Është një infrastrukturë e jetueshme për qytetin, jo thjesht një ndërtesë në të cilën nuk hyn askush. Dëshironim që të kishte një hapësirë sa më të madhe të gjelbër. Dhe këto tre sisteme funksionojnë së bashku me njëra-tjetrën për të ofruar një sistem më të mirë ekologjik, hidrologjik dhe sisteme të cilat funksionojnë dhe ndërveprojnë me njëra-tjetrën”, u shprehën arkitektët.

Një nga elementet e konceptit është ruajtja e shatërvanit ekzistues dhe ngritja e ujit në hapësirë, për të krijuar efektin e një shiu vere, që sipas arkitektëve do të kontribuojë në përmirësimin e mikroklimës së parkut.

Përfaqësuesit e BIG shpjeguan se ndërtesa do të përfshijë hapësira rezidenciale, hoteleri, zyra dhe një komponent kulturor prej rreth 10% të sipërfaqes, duke krijuar më tepër hapësira për të rinjtë.

Ata theksuan se fasada tredimensionale, me ballkone të jashtme, është konceptuar për të krijuar hije, për të filtruar dritën dhe për të mbrojtur ndërtesën nga temperaturat e larta të verës.

Sipas tyre, synimi është që projekti të mos jetë thjesht një ndërtesë, por një infrastrukturë e jetueshme për qytetin, që ndërthur hapësirat për të jetuar dhe punuar me një park më të gjelbër dhe më të hapur për qytetarët.

1 nga 4

/a.f/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›