“Tirana Grand Prix Warm-Up 2026”, test i suksesshëm për garën ndërkombëtare të tetorit

TIRANË, 7 qershor /ATSH/ Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor (DPSHTRr) bëri të ditur se është zhvilluar me sukses “Tirana Grand Prix – Warm-Up 2026”, një aktivitet i dedikuar automobilizmit dhe mjeteve historike.
Në këtë event që u zhvillua në sheshin “Nënë Tereza” në kryeqytet, u ekspozuan automjete klasike dhe historike me vit prodhimi para dhe pas vitit 1980, duke krijuar një atmosferë sportive dhe promovuese për komunitetin e automobilizmit në vend.
Sipas DPSHTRR-së, aktiviteti mblodhi entuziastë dhe anëtarë të RETRO Albania, të cilët kontribuan në promovimin e kulturës së automjeteve historike dhe pjesëmarrjen e tyre në evente me karakter ndërkombëtar.
Anëtarët e RETRO Albania dëshmuan edhe një herë se automjetet historike mund të jenë pjesë dinjitoze e kompeticioneve me karakter ndërkombëtar.
“Tirana Grand Prix – Warm-Up 2026” shërben si një test përgatitor për garën e madhe “Tirana Grand Prix”, që pritet të zhvillohet në muajin tetor, me synimin për të rritur profilin ndërkombëtar të këtij aktiviteti sportiv”, thuhet në njoftimin e DPSHTRR-së.
/e.xh/j.p/