Tirana fiton me 1-0 ndaj Bylisit dhe rrit shanset për mbijetesë

TIRANË, 14 mars /ATSH/Tirana arriti sot një fitore shumë të rëndësishme në luftën për mbijetesë, duke mposhtur minimalisht Bylisin me rezultatin 1-0 në ndeshjen e javës së 28-të të Superligës e cila u luajt këtë pasdite në “Selman Stërmasi”.
Takimi nisi qetësisht, ku të dyja skuadrat treguan kujdes të madh në mbrojtje dhe pjesa e parë u mbyll pa gola.
Në pjesën e dytë loja u bë më e hapur dhe momenti vendimtar erdhi në minutën e ‘67-të. Sulmuesi Serge Tabekou, i aktivizuar nga stoli vetëm gjashtë minuta para se të shënonte, shfrytëzoi një asist të Alvarez dhe dërgoi topin në rrjetë, duke i dhënë avantazhin dhe në fund fitoren bardhebluve.
Me këtë sukses, Tirana mbetet në vendin e parafundit me 24 pikë, por ngushton diferencën me rivalët direkt në luftën për mbijetesë. Nga ana tjetër, Bylisi qëndron në vendin e shtatë me 27 pikë, vetëm tre më shumë se kryeqytetasit.
Kjo ishte fitorja e parë për Orges Shehin pas rikthimit te Tirana.
/m.q/a.f/